05 Maj 2024

Kuvendi të premtën diksuton Projektbuxhetin

Prishtinë, 22 mars - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që për seancën e 25 marsit, pikë e partë e rendit të ditës të jetë Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për virin 2011.

Anëtarët e Kryesisë janë pajtuar që në këtë seancë të mos procedohen pikat e zakonshme ë rendit të ditës: çështje jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

Në të njëjtën seancë, ndërkaq, do të shqyrtohet Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve në Komisionin Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave.

“Ne patëm mbledhjen e rregullt të kryesisë dhe vendosëm që në seancën e ardhshme të 25 marsit të debatohet në mënyrë të veçantë Projektligji për buxhetin e vitit 2011”, ka thënë Krasniqi.

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur një mbledhje për këtë çështje, megjithatë qëndrimin përfundimtar do ta jap në seancë, përderisa diskutimet brenda grupit do t’i vazhdojë deri pak para seancës.

Shefi i GP të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se janë angazhuar ekspertë të këtij grupi për të analizuar në mënyrë serioze Projektbuxhetin për vitin 2011, ndërkohë që nuk ka dashur të jap një qëndrim të saktë nëse do ta mbështes apo jo LDK-ja projektbuxhetin.

“Për këtë merr vendim grupi. Ne i kemi angazhuar ekspertët tanë, jemi në mënyrë shumë serioze duke e analizuar dhe sot nuk mund të komentojë për shkak se ajo që do të thuhet do të jetë qëndrim i grupit parlamentar, por mund të them se mbi tri orë takimi i grupit dhe është analizuar në mënyrën më të mirë ky projektbuxhet”, ka thënë Beqiri.

Nga ana tjetër, edhe Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur të martën një mbledhje, prej të cilës nuk ka dalë ndonjë qëndrim i qartë, mirëpo janë bërë analiza nga ekspertët e kësaj partie për projektbuxhetin e këtij viti.

Deputeti i kësaj partie, Ahmet Isufi nuk ka dashur të komentojë nëse AAK-ja do ta mbështes projektbuxhetin, por ka thënë se është për krijimin e një gjendje të mirë socio-ekonomike të qytetarëve të vendit dhe për balancimin mes kërkesave që janë për rritje të pagave me investimet kapitale dhe të hyrat buxhetore.

"Jemi edhe për një përmirësim të raporteve mes Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Qeverisë së Kosovës dhe kjo e çon Kosovën përpara. Prandaj gjithë analizat që do t’i bëjmë në grupin parlamentar përmes vërejtjeve që do t’i kemi nga ekspertët, do të kemi një qëndrim”, ka thënë Isufi.

Në projektbuxhetin e vitit 2011, të miratuar ditë më parë nga kabineti qeveritar është përfshirë edhe rritja e pagave në shumë sektorë, ashtu siç kishte bërë marrëveshje paraprake kryeministri Hashim Thaçi gjatë kohës së zgjedhjeve nacionale.

Kuvendi synon që pas miratimit në parim në seancë ne 25 marsit, mënjëherë të procedojë me miratimin e plotë të ligjit, pas shqyrtimit nëpër komisione, në mënyrë që buxheti për vitin 2011 të jetë i miratuar para prillit dhe që pagat e punëtorëve të dalin me rritje.

Kryesia po ashtu ka marrë vendim që Strategjia Legjislative e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2011, t’u shpërndahet deputetëve para se kjo çështje të radhitet për ndonjë seancë tjetër plenare, duke ngarkuar komisionet parlamentare që mbi bazën e kësaj strategjie t`i hartojnë planet e punës periodike dhe Programin e punës së komisioneve për vitin 2011.

Sekretarin e Kuvendit, ndërkaq, e ngarkoi të hartojë Projekt-Programin e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës (në bazë të planeve të punës së komisioneve parlamentare), i cili me propozim të Kryesisë, i procedohet seancës plenare për miratim.

Në vazhdim të mbledhjes së sotme Kryesia ka shqyrtuar edhe një varg mocionesh, rekomandimesh dhe kërkesash.

Kështu, pasi e ka shqyrtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zbatimin e masës së përkohshme të nenit 14 paragrafi 1.6 dhe të neneve 22, 24, 25, 27 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e deputetit, Kryesia ka vendosur ta ngarkojë Komisionin për Legjislacion, që ta shqyrtojë kërkesën e Gjykatës Kushtetuese, përkatësisht të përgatisë përgjigjen e Kuvendit, për çështjen kontestuese lidhur me pensionin suplementar të deputetit dhe Kuvendit t’ia paraqesë Raportin me rekomandime.

Kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Ujësjellës dhe Mbeturina lidhur me emërimin e një anëtari të Komisionit Shqyrtues, në cilësinë e kryesuesit të Komisionit, Kryesia ia ka deleguar Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, si komision funksional, për të përgatitur për Kuvend Raportin me rekomandime, për shqyrtim dhe miratim.

Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Media, për vitin 2010, si dhe Raportin e punës së Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për periudhën mars 2009- dhjetor 2011, Kryesia ia ka bartur Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, në mënyrë që Kuvendit t’ia paraqesë raportet me rekomandime, për shqyrtim dhe miratim.
Mars 2011
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)