Kuvendi sot shqyrton për herë të dytë Projektligjin për Buxhetin
Prishtinë, 26 dhjetor - Në seancën e sotme Kuvendi i Kosovës do të shqyrtojë për herë të dytë Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014, si dhe dy projektligje të tjera.
Kjo do të jetë edhe seanca e fundit e sesionit vjeshtor në të cilën fillimisht do të procedohet me dy pikat e përhershme të seancave të rregullta: koha për deklarime jashtë rendit të ditës, dhe koha për pyetje parlamentare.
Pas Projektligjit për Buxhetin, deputetët do të shqyrtojnë për herë të dytë edhe Projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje,si dhe Projektligjin për tarifat e veçanta të akcizës për prodhimin fillestar dhe prodhimin e vogël të produkteve alkoolike të prodhuara në Kosovë.
Në përfundim të seancës do të shqyrtohet edhe rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me vendimin e Presidentes së Republikës së Kosovës për kthimin e Ligjit nr. 04/L-163 për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor.
Deputetët do të njoftohen, ndërkaq, me propozimin e GP të LDK-së për ndërrimin e anëtarëve në Komisionin për Integrime Evropiane.
Po të njëjtën ditë deputetët do të procedojnë me tri pikat e papërfunduara nga seanca e shkuar: votimin e rekomandimeve nga debati parlamentar lidhur me ecurinë e procesit të negocimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit; formimin e Komisionit ah-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës; si dhe shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike dhe Media për shkarkimin e dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media.