Kuvendi sot shqyrton Buxhetin
Prishtinë, 31 mars - Sot Kuvendi i Republikës së Kosovës në një seancë plenare, shqyrton për herë të dytë Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2011.
Kryesia e Kuvendit kishte marrë vendimin për procedim më të shpejtë të Projektligjit për Buxhetin, nga sa e parasheh Rregullorja e Kuvendit, pas vlerësimit të urgjencës së çështjes.
Pas raportimit në Kryesi të kryetares së Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, e cila ka pohuar se Komisioni është në përfundim të amendamentimit të Projektligjit për Buxhetin, megjithatë kjo nuk ndodhi.
Në mbledhjen e djeshme Komisioni për Buxhet dhe Financa nuk ka arritur marrëveshje për nenin 4 të projektbuxhetit ku është paraparë shitja e PTK së.
Kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa nga radhët e PDK së ka thënë se komisioni ka hedhur në votim dy propozime. Njëri ishte për riformulimin e nenit 4 dhe tjetri propozim që të hiqet tërësisht ky nen.