Kuvendi shqyrton sot Projektligjin për Buxhetin e Kosovës për vitin 2019
Prishtinë, 6 dhjetor - Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet sot në një seancë të re.
Në këtë seancë, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë Projektligjin mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.
Për herë të parë do të shqyrtohen edhe tri projektligje të tjera:
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social, Projektligji për produktet biocide dhe Projektligji për Odën e Arkitektëve dhe Odën e Inxhinierëve në fushën e ndërtimit.
Në vazhdim, do të bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për familjen.
Kuvendi do të vazhdojë punimet me shqyrtimin e raportit të Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për vitin 2017, raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2017, emërimin e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës dhe zgjedhjen e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.