Kuvendi shqyrton sot Projektligjin për Buxhetin e Kosovës
Prishtinë, 22 dhjetor - Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet sot në seancë të rregullt në të cilën do të do të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës.
Në seancën e sotme pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017, si dhe i Projektligjit për shërbime.
Për herë të dytë, pritet shqyrtimi i Projektligjit për ndihmën shtetërore, Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr. 04/L-115 dhe Ligjin nr. 04/L-168, si dhe shqyrtimi i Projektligjit për sponsorizime dhe donacione në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.
Po ashtu, do të shqyrtohet edhe raporti i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Minierat dhe Mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-158.
Në fund, deputetët pritet të debatojnë sipas kërkesës së deputetit Glauk Konjufca, i mbështetur edhe nga nëntë deputetë tjerë, lidhur me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.