16 Janar 2025

Kuvendi përplaset rreth BQK-së

Prishtinë, 7 shkurt - Kuvendi i Kosovës duhej sot të zgjidhte anëtarët e Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, një çështje e trashëguar nga mbledhja e kaluar e tij.

Ligjvënësit kishin përpara rekomandimin e Komisionit Parlamentar për zgjedhjen e tyre, por përfaqësuesit e partive opozitare konsideruan se në Kuvend kanë shkuar emra politikë të partisë në pushtet.

Fillimisht Lidhja Demokratike e Kosovës kërcënoi se do të lëshojë sallën në rast se nuk hiqen nga rendi i ditës emrat e propozuar.

“Ne konsiderojmë se janë propozime politike. Kjo nënkupton se ne nuk do të rrimë në sallë kur të fillon procesi. Sa herë që ka propozime profesionale ne do votojmë”, tha shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri. Pastaj edhe Visar Imeri i Vetëvendosje iu bashkua LDK-së. “ VV-ja e sheh listën me emra si tendencë që vjen nga Qeveria për t’i kontrolluar Institucionet”.

Burim Ramadani nga AAK-ja po ashtu tha se nuk është hera e parë që Aleanca, konsideron se kjo forme pune e qet Kuvendin në pozitë të palakmueshme. “Ne rekomandojmë që seanca të vendosë për kthimin e kësaj pike dhe të vazhdojmë më seancën tjetër”, tha Ramadani.

Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së Elmi Reçica, kërkoi nga grupet parlamentare të merren vesh, në mënyrë që të procedohet më tutje, raporton Koha.

Ndërkohë kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kërkoi pushim prej 10 minutave, për konsultim. Në vazhdim të mbledhjes u procedua mocioni i paraqitur nga opozita për kthimin pas të rekomandimit të Komisionit përkatës, por mocioni nuk mori vota të mjaftueshme që të përfillej.

Ky ishte shkaku që deputetët e opozitës të braktisin mbledhjen, madje edhe ata të AAK-së, që më parë ishin deklaruar se do të përfillnin vendimin që do të merrte Kuvendi.

Meqë në sallë kishin mbetur vetëm 53 deputetë, sigurisht nga përbërja e koalicionit qeverisës, kryesuesi e deklaroi mbledhjen e mbyllur dhe njoftoi se nesër Kryesia do të vendosë për datën dhe rendin e ditës së mbledhjes së ardhshme, që do të mbahet javën e ardhshme.

Kuvendi sot për herë të parë do të shqyrtonte Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për sigurinë e përgjithshme të produkteve, kurse për herë të dytë Projektligjin për zonat ekonomike, si dhe Projektligjin për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor.

Për herë të parë ndërkaq do të shqyrtoheshin edhe pesë projektligje të tjera, të hequra nga rendi i ditës së seancës së shkuar, për shkak të mungesës së ministreshës Kusari Lila, si sponsoruese të tyre: Projektligji për turizmin, Projektligji për investimet e huaja, Projektligji për produktet e ndërtimit,Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për inspektoratin dhe mbikëqyrjen e tregut, si dhe Projektligji për treguesit gjeografik.

Po ashtu ishte paraparë të shqyrtohej edhe propozimi i Grupit Parlamentar të PDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)