Kuvendi nuk miraton propozimin për anëtarët e Bordit të AKP-së
Prishtinë, 6 dhjetor - Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk miratoi propozimin e qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të AKP-së, derisa ata të kompletojnë të dhënat e tyre personale.
Kryetari i Komisionit për zhvillim ekonomik, infrastrukturë, tregti e industri, Zenun Pajaziti, tha se komisioni ka përkrahur propozimin e qeverisë për anëtarë të bordit të AKP-së, me kusht që kandidatët të kompletojnë biografitë e tyre.
Por meqë ata nuk e kanë bërë këtë brenda afatit të paraparë, Pajaziti duke folur edhe në emër të grupit parlamentar të PDK-së, kërkoi që kjo çështje të shtyhet.
Kryetari i Grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se LDK-ja është kundër emrave të propozuar, për disa arsye.
Kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Visar Ymeri, tha se lista e propozuar nga qeveria është e papranueshme, jo vetëm pse ka eksponentë të partisë në pushtet, por edhe për shkaqe tjera.
Ndërkohë grupi parlamentar i PDK-se paraqiti një mocion për shtyrjen e kësaj çështje derisa të kompletohen të dhënat nga kandidatët, që mori mbështetjen e deputetëve. Anëtarëve vendorë të Bordit të AKP-së u ka skaduar mandati me 22 korrik.
Ndërkaq qeveria në fund të tetorit kishte marrë vendim që t’i propozojë Kuvendit Blerim Rexhën për kryesues të Bordit, ndërkaq për anëtarë Maja Milanoviqin, Haxhi Arifin, Dardane Pejën dhe Skender Komonin.
Ndërkohë deputetët me shumicë votash miratuan Raportin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për efiçiencën e energjisë, dhe vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjatjen e periudhës kalimtare të lirimeve nga Tatimi i vlerës së shtuar deri më 31 dhjetor 2014.