Kuvendi nuk e miratoi raportin e Trustit të Kursimeve Pensionale

Prishtinë, 4 maj - Prishtinë, 4 maj - Në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk është miratuar Raporti i Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, për vitin 2009.
Shumica e shefave të grupeve parlamentare dhe deputetë të shumtë, pjesëmarrës në debatin parlamentar për këtë çështje, kanë vlerësuar se Raporti i paraqitur i TKPK-së, më shumë se raport i njëmendtë, është përmbledhje teknike e pasqyrave financiare, prandaj si i tillë nuk i plotëson kushtet për tu miratuar. s.
Kaqusha Jashari, deputete e Kuvendit të Kosovës, tha se ky nuk është një raport adekuat, me 2 apo 3 faqe. Është çudi që ky raport është dhënë kështu, pra është nënçmim për Kuvendin të sillet si i tillë, tha ajo, duke shtuar se ky raport është qesharak.
Teuta Hadri nga radhët e PDK-së, akuzoi bordin e Trustit, se po investon paratë jashtë vendit, e me këtë po nënçmon bankat vendore dhe kapacitetin e sigurisë së tyre.
Myzejene Selmani, nga radhët e AKR-së, tha se po diskutojnë një raport të Trustit, 5 faqe që nuk i plotëson kushtet për t'u diskutuar, ndërkaq edhe ajo si shumë deputet tjerë akuzoi këtë institucion që po investon paratë jashtë vendit.
Ndërkaq Berim Ramosaj, deputet nga radhët e LDK-së, tha se është shumë me rëndësi të diskutohet për Trustin, pasi sipas tij ky institucion është specifik dhe se vendimet e marra nga ky institucion duhet të nisen nga përgjegjësitë sociale dhe zhvillimi ekonomik.
Sipas tij, nuk është e rëndësishme ku plasohen fondet e Trustit, mirëpo ai tha se puna e Trustit duhet të jetë më efikase dhe më e përgjegjshme.