26 Dhjetor 2024

Kuvendi miraton projektligjin për rimëkëmbje ekonomike COVID-19

Prishtinë, 4 dhjetor - Me 72 vota për dhe asnjë kundër Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar në lexim të dytë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike COVID-19.

Ky projektligj, i cili shndërrohet në ligj pas dekretimit të presidentit të Kosovës, do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor 2021, përjashtimisht disa dispozitave që do të jenë të vlefshme deri në vitin 2028.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se Ligji për rimëkëmbje ekonomike krijon një momentum të ri në Kosovë.

“Jemi plotësisht të përgatitur që të fillojmë zbatimin e këtij ligji menjëherë, pasi që janë bërë përgatitjet nëpër ministri përkatëse, në Trustin e Kursimeve Pensionale, në mënyrë që para vitit të ri, pjesa më e madhe e këtyre fondeve të futen në ekonomi dhe buxhetin e familjes, me shpresë që në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm të shpërndajmë këtë pjesë dhe të kthehemi në normalitet në mesin e vitit të ardhshëm”, tha Hoti.

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike nuk është përkrahur nga partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje. Deputetët të kësaj partie kanë kritikuar Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, pasi që, sipas tyre, nuk do të sjellë rimëkëmbje ekonomike në vend.

“Nëse duam të shohim se çfarë rimëkëmbje ekonomike mund të bëjnë këta (LDK dhe PDK), mjafton t’i lëshohet një sy ndërmarrjeve publike, shikoni në çfarë gjendje i kanë sjellë dhe pastaj mendoni se a me të vërtetë do t rimëkëmbin ekonominë. Këto ndërmarrje duke filluar nga Telekomi e Trepça po përfundojnë me llogari bankare të bllokuara se nuk kanë para as pagat t'i paguajnë”, tha Hekuran Murati, deputet i Lëvizjes Vetëvendosjes.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, fillimisht shprehu keqardhje për vonesën nga qeveria që nuk ka arritur ta adresojë këtë çështje jetike për qytetarët e Kosovës dhe ekonominë e vendit.

“Ligji që sot e kemi, nuk është ligj për votuesit e një subjekti apo tjetrit politik, është ligj për të gjithë qytetarët dhe bizneset e Kosovës. Nga ky ligj përfitojnë bizneset, numri i të cilave mund të jetë mbi 50 mijë biznese. Si rezultat i granteve, nga kjo përfitojnë dhjetëra të punësuar në sektorin privat që i kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë”, tha Hamza.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, tha se me këtë projektligj, rreth 600 milionë euro do të kalojnë te qytetarët e Kosovës.

“I kemi dhënë përkrahje këtij projektligji. Është e vërtetë se kemi pasur pengesa nga Lista Serbe, por LDK, PDK, Nisma po e dëshmojnë që kur është në interes për qytetarët të kalojë një ligj që është i rëndësishëm”, tha Haradinaj.

Qëllimi i projektligjit për rimëkëmbje ekonomike është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19.

Ky projektligj ka paraparë që kontributpaguesit të mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Sipas projektligjit, deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së 10 për qindëshit nga kontributpaguesi, Qeveria e Kosovës ta kompensojë atë brenda pesë vjetëve të ardhshme.

Projektligji parasheh themelimin e një fond i veçantë, i cili do të shërbejë për t’i paguar të gjithë të punësuarit në sektorin privat, që kanë humbur vendet e tyre të punës si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Sipas këtij projektligji, të gjithë punëtorët e sektorit privat të regjistruar si të papunë, e që kanë qenë në marrëdhënie pune deri në shtator 2020, por që nga muaji tetor 2020 janë liruar nga punëdhënësi si pasojë e ndikimit të COVID -19, të paguhen nga ana e Qeverisë së paku tre deri në katër muaj përkatës.

Po ashtu në bazë të projektligji do të themelohet granti në shumë prej 200 milionë eurosh, për ndihmë direkte financiare bizneseve, të cilat kanë vështirësi funksionimi si rezultat i ndikimit të COVID-19.

Qeveria e Kosovës do të lirojë nga TVSH-ja lëndën e parë e cila prodhohet nga bizneset kosovare, pavarësisht a eksportohet jashtë vendit apo jo.

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike ka paraparë që Fondi Kreditor Garantues i Kosovës, (FKGK) të autorizohet që të lëshojë garanci kreditore me përqindje të mbulesës nga 50 deri në 80 për qind.

Po ashtu, me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, Ministria e Financave mund të shtyjë afatin e pagesës së tatimeve deri në dy vjet nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kriteret për shtyrjen e afateve përcaktohen nga Ministria e Financave në Qeverinë e Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)