Kuvendi miraton projektbuxhetin për vitin 2013
Prishtinë, 15 nëntor - Kuvendi i Republikës së Kosovës me 62 vota për, 31 kundër dhe 1 abstenime ka miratuar sot në lexim të parë projektbuxhetin për vitin 2013, i cili është 1 miliard e 586 milionë euro.
Ministri i Financave, Bedri Hamza teksa bëri prezantimin, tha se buxheti i vitit 2013 është buxhet i zhvillimit të shtetit të Kosovës.
Ai tha se ky buxhet parasheh ngritjen e mirëqenies sociale, pensionet me rritje të kategorive të ndryshme të pensionistëve dhe mbi të gjitha me këtë buxhet do të vazhdojnë investimet kapitale.
Mbi të gjitha vazhdon trendi i investimeve kapitale. Me këtë projektbuxhet sigurohen mjete të mjaftueshme për përfundimin e projektit të autostradës së kombit Ibrahim Rugova sipas kontratës dhe fillimin e autostradës së re prej Prishtinës në Shkup, tha Hamza.
Debati, i cili ka zgjatur me shumë se shtatë orë, është përcjellur me përplasje ndërmjet pozitës dhe opozitës.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga partitë në pushtet e kanë lavdëruar projektbuxhetin, duke thënë se buxheti për vitin e ardhshëm është buxhet i zhvillimit të mëtejmë të vendit.
Deputetët e LDK dhe Vetëvendosje kundërshtuan projektbuxhetin pasi sipas tyre ai është buxhet shpenzues dhe nuk ka shpërndarje të drejtë, ndërsa AAK-ja i dha mbështetje në lexim të parë, duke vënë kushte për votën në lexim të dytë.
LDK-ja nuk mund ta mbështes këtë buxhet, pasi që është në dëm të qytetarëve dhe bizniseve. LDK-ja kërkon që të rishikohet shpërndarja e investimeve kapitale, sidomos në arsim dhe në infrastrukturë rrugore dhe të shpërndahen drejt nëpër komuna, bazuar në formulat për shpërndarjen e granteve nëpër komuna, tha Naser Osmani nga LDK.
Ndërsa Visar Ymeri nga Vetëvendosje tha se edhe ky buxhet vazhdon të varet nga doganat dhe është vetëm buxhet shpenzues.
Ky është buxhet i cili nuk ka fare koncept të zhvillimit, ky është një buxhet i asfaltit e betonit, e jo buxhet i investimeve në sektorët prodhues. Zhvillimi ekonomik i Kosovës, duhet ta dimë të gjithë, vjen nga investimet në prodhim, nga hapja e vendeve të punës në bujqësi, në energji e industri, tha Ymeri.
Ardian Gjini tha se AAK-ja do ta votojë në lexim të parë këtë projektbuxhet, por ai ka vënë kushte për votën në lexim të dytë.
Aleanca kërkon që Qeveria e Kosovës me komisionin për buxhet dhe financa të gjejë mjetet për ndërtimin e rrugës drejt Pejës, vazhdimin e ndërtimit. Nëse kjo nuk ndodhë, me siguri se do të jemi kundër në leximin e dytë, tha Gjini.