Kuvendi miraton buxhetin për muajin mars
Prishtinë, 3 mars - Kuvendi i Kosovës miratoi, me votë unanime, vendimin e ekzekutivit për shtyrjen e ndarjeve buxhetore edhe për muajin mars. Vendimi u përkrah nga të gjitha grupet parlamentare.
Bedri Hamza, ministër i Financave, tha para deputeteve se kjo shtyrje buxhetore është shumë e nevojshme, pasi që nga 28 shkurti agjencitë buxhetore nuk kanë mundur të bëjnë asnjë pagesë.
Ndërkohë kryeministri Hashim Thaçi e falënderoi opozitën që i dha fund bojkotit dhe u kthye ne parlament. Ai u zotua se qeveria shumë shpejt do t`ia procedoj Kuvendit, projekt-buxhetin për vitin 2011 në të cilin si tha kryeministri do të përfshihet edhe ngritja e pagave për sektorin publik.
Deputetët e partive opozitare janë shprehur skeptik nëse do të ndodh ngritja e pagave ndërsa i kërkuan kryeministrit që ta mbajë premtimin dhe kur të diskutohet projekt-buxheti mos të arsyetohet në Kuvend se një gjë të tillë nuk po e lejon FMN-ja.