Kuvendi miraton buxhetin pa votat e opozitës, rriten pagat
Prishtinë, 31 mars - Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës me shumicë votash i kanë dhënë vulën përfundimtare buxhetit të Kosovës për vitin 2011.
Ndersa pozita insistonte për miratim, opozita në tërësi u ndal në shumë të pika katër e këtij dokumenti që lidhet me të ardhmen e PTK-së, qe sipas opozitës, qeveria në këtë mënyrë me anë të këtij dokumenti dëshiron ta shes edhe postën.
Përkundër insistimit të opozitës qe kjo pikë të hiqet, buxheti mori shumicën e votave, konkretisht 66 deputet votuan pro, 25 kundër dhe 12 abstenuan.
Me këtë buxhet është paraparë edhe rritja pagave nga 30 deri në 50 për qind, për disa kategori.
Dokumenti për buxhetin parasheh 1 miliard e 264 milionë euro të hyra buxhetore, ndërsa 1 miliard e 434 milionë euro shpenzime.
Këtu përfshihet edhe rritja e pagave për sektorin publik, ndërsa parashihet rritje ekonomike për 5.5 për qind.
Dilema pas miratimit mbetet nënshkrimi i këtij dokumenti pasi Kosova, nuk ka president pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi pas miratimit të buxhetit për vitin 2011, e cilësoi atë buxhet të zhvillimit ekonomik dhe për një Kosovë evropiane. Ai tha se ndihet krenar që për një kohë të shkurtër ka arritur të realizojë premtimin për rritje të pagave.