Kuvendi miratoi në parim Projektligjin e Punës

Prishtinë, 4 qershor - Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit deputetët bënë shqyrtimin e parë të Projektligjit të Punës, Projektligjit për Komponentin rezervë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis. Pas debatit, me shumicë votash nga deputetët u miratua në parim Projektligji i Punës.
Sipas Rregullores së re të Kuvendit, e cila përcakton të drejtën e deputetëve për deklarime jashtë rendit të ditës, disa nga deputetët ngritën një varg çështjesh dhe shqetësimesh.
Në vijim deputetët shtruan pyetje parlamentare, të cilave iu përgjigjën anëtarët e kabinetit qeveritar, përkatësisht ministrat: Ahmet Shala, Nenad Rashiq, Mahir Yagcilar, Bajram Rexhepi, Blerand Stavileci dhe Edita Tahiri.
Seanca vazhdoi punën duke shqyrtuar për herë të parë Projektligjin e Punës.
Në lidhje me këtë, ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, duke paraqitur Projektligjin vlerësoi se ky Projektligj rregullon pozitën e punëmarrësit dhe shumë çështjeve që kanë të bëjnë me këtë fushë. Ministria ka bërë përpjekje që ky Projektligj të jetë i harmonizuar me ligjet e shteteve në rajon dhe standardet e BE-së, tha Rashiq. Ai u bëri apel deputetëve për miratimin e këtij Projektligji, duke kërkuar nga ata angazhimin maksimal gjatë procedimit të tij deri në aprovimin final.
Gjatë një debati të gjerë, deputetët paraqitën vërejtjet, propozimet dhe rekomandimet e tyre lidhur me këtë Projektligj. Vërejtjet e tyre kishin të bënin veçanërisht me pushimin e lehonisë, për të cilin thanë se duhet paraparë që pushimi i lehonisë të jetë më i gjatë. Pas debatit, me shumicë votash nga deputetët u miratua në parim Projektligji i Punës.
Seanca vazhdoi punën duke bërë shqyrtimin e parë të Projektligjit për Komponentin Rezervë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe Projektligjit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis.
Prezantimin e këtyre projektligjeve e bënë ministrat Fehmi Mujota, ministër i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe Mahir Yagcilar ministër i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë.
Të dyja projektligjet u miratuan në parim me shumicë votash nga deputetët.
Në seancën e sotme deputetët miratuan Projektligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, Projektligjin për Hetim Parlamentar dhe Projektligjin për Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.