Kuvendi miratoi Ligjin e Punës
Prishtinë, 2 nëntor - Deputetët e Kuvendit të Kosovës, pak kohë para votimit të mocionit ndaj Qeverisë së Kosovës, me 101 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kanë miratuar Ligjin e Punës.
Ky duket të jetë ligji i fundit i miratuar nga ky legjislacion, pasi pas 15 minutave, do të fillojë seanca e dytë e Kuvendit, ku do të votohet për mocionin e Qeverisë së Kosovës, që është iniciuar nga AKR.
Me këtë ligj, pushimi i lehonisë nga 12 javë sa ishte paraparë në leximin e parë, tani parashihet të jetë 12 muaj, ku gjashtë muajt e parë punëdhënësi do të paguajë 70 për qind të pagës së lehonës, tre muajt në vazhdim do ti mbulojë Qeveria, kurse tre muajt e fundit nuk do të paguhen.
Ligji i Punës do të rregullojë të drejtat dhe obligimet e të punësuarve dhe punëdhënësve, themelimin e marrëdhënies së punës, sistemimin në vendin e punës, orarin e punës, pushimet dhe mungesat në punë, mbrojtjen dhe sigurinë në punë, pagat dhe benificionet e të punësuarve, ndërprerjen e marrëdhënies së punës etj.
Me kornizën afatmesme të shpenzimeve 2011 -2013 për zbatimin e Ligjit të Punës janë paraparë nga 1 milionë e 800 mijë euro për çdo vit fiskal.