Kuvendi miratoi buxhetin e vitit 2022
Prishtinë, 17 dhjetor - Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me 65 vota për, u miratua Ligji mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2022.
Ky ligj siguron qëndrueshmëri të financave publike, ringjallje të ekonomisë e orientim drejt prodhimit vendor, përkrahje të punësimit e fuqizim të grave, dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e rritje të mirëqenies qytetare.
Buxheti për vitin 2022 është 2 miliardë e 748 milionë euro, njëherit buxheti më i lartë që ka pasur Republika e Kosovës ndonjëherë.
Me buxhetin e vitit 2022, 20 milionë euro janë ndarë për skemën e punësimit të garantuar për të rinj, 45 milionë euro për shtesat për lehonat dhe fëmijë, dhe 35 milionë euro për skemat sociale e pensionale.
Kurse sa i përket investimeve, 40 milionë euro janë ndarë për prodhuesit vendorë, 40 milionë euro për ringritjen e ndërmarrjeve publike dhe mbi 700 milionë euro për sektorin e arsimit, shëndetësisë, kulturës, infrastrukturës e sigurisë.