Kuvendi ka shpenzuar 1.532.892 euro të buxhetit të tij vjetor
Prishtinë, 13 maj - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës , në mbledhjen e saj të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka shqyrtuar dhe miratuar Raportin e shpenzimeve të Kuvendit për tremujorin e parë të vitit 2014.
Duke e prezantuar raportin në fjalë, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka vënë në pah se gjatë tremujorit të parë të vitit 2014 Kuvendi ka shpenzuar 16.33 për qind të buxhetit të tij vjetor, përkatësisht 1.532.892 euro.
Ai tutje ka sqaruar se për paga dhe mëditje janë shpenzuar 19.35 % e mjeteve të parapara vjetore për këtë zë, 11.97 % për mallra dhe shërbime, 22.24 % për shpenzime komunale, 16 % për subvencione dhe teransfere, si dhe 2.38 % për shpenzime kapitale.
Anëtarët e Kryesisë kanë marrë njoftimin e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me përzgjedhjen e auditorit të jashtëm për auditimin e pasqyrave financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2013.
Komisioni i lartpërmendur e ka njoftuar Kryesinë se në bashkërendim me Administratën e Kuvendit, gjegjësisht me Drejtorinë e Prokurimit, ka bërë përzgjedhjen e auditorit të jashtëm - kompaninë audituese Deloitte Kosova SHPK, për auditimin e pasqyrave vjetore financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2013.
Duke përmbledhur aktivitetet e Kryesisë së Kuvendit në këtë Legjislaturë, kryeparlamentari Krasniqi ka përmendur 157 mbledhje të Kryesisë, përgatitjen e rendit të ditës dhe mbajtjen e 165 seancave parlamentare, marrjen e 552 vendimeve dhe nxjerrjen e 239 përfundimeve.
Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme ka marrë disa vendime që kishin të bënin me pagën kalimtare të deputetëve (që fillon nga data 8 maj 2014 deri më 7 maj 2015), si dhe për çështje tjera, pas përfundimit të mandatit të Kuvendit, e që lidhen edhe me përgatitjet për fillimin e mbarë të Legjislaturës V.