Kuvendi do të mbështesë pensionistët
Prishtinë, 4 shkurt - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot delegacionin e Lidhjes Pensioniste të Kosovës, të kryesuar nga Shaban Kajtazi, kryetar i këtij asociacioni, me të cilin ka biseduar për gjendjen e rëndë të pensionistëve të Kosovës, për domosdonë e përmirësimit të kushteve sociale dhe ekonomike të kësaj shtrese të popullsisë, e në këtë kuadër edhe për miratimin në kohë sa më të shkurtër të Ligjit për Skemat Pensionale në Kosovë.
Kryetari i pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, pasi e ka njoftuar kreun e Kuvendit për gjendjen e mjerueshme të pensionistëve të Kosovës, kontributdhënës , ka kërkuar që Ligji për Skemat Pensionale , i cili e ka kaluar shqyrtimin e parë në Kuvend në tetor të vitit 2012, të miratohet sa më parë, duke propozuar që ai të amendamentohet , për të qenë më i drejtë dhe më përmbajtjesor.
Pensionistët kërkojnë: kategorizimin e pensionistëve nga 1-4, sipas kualifikimeve arsimore të tyre; pranimin e stazhit 10-vjeçar të punës për të gjithë të dëbuarit me dhunë gjatë viteve 1990-1999; që baza e pensioneve të lidhet më së paku me 40 për qind të pagës mesatare nga viti paraprak, etj.
Krerët e pensionistëve të Kosovës kanë kërkuar që urgjentisht të rriten pensionet për 30 për qind ,për të gjitha kategoritë , si dhe çështja e pensioneve që lidhen me Serbinë të shtrohet si temë urgjente për zgjidhje në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeparlamentari Krasniqi, duke shprehur gjithë konsideratën e tij për kontributin e pensionistëve të Kosovës për mbijetesën e popullit tonë dhe ngritjen ekonomike të Kosovës, me gjithë shtypjen dhe shfrytëzimin që i bëhej, ka theksuar se vendi ynë e ka për borxh tu sigurojë pension të dinjitetshëm pjesëtarëve të kësaj kategorie.
Ai është zotuar se Kuvendi do ta kryej punën që i takon, në planin e miratimit të Ligjit, por ka theksuar se punën kryesore duhet ta bëjë ekzekutivi i vendit. Kreu i Kuvendit ka pohuar gjithashtu që do të angazhohet për miratimin sa më cilësor të Ligjit për Skemat Pensionale, si dhe për zbatimin e tij, në interes të pensionistëve.
.