Kuvendi do të debatojë rreth gjendjes në ndërmarrjet publike
Prishtinë, 6 maj - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka plotësuar rendin e ditës për seancën e 13 majit, 2010.
Pos debatit rreth gjendjes në ndërmarrjet publike qendrore, para procesit të privatizimit të tyre (mocion i deputetit Driton Tali, i përkrahur nga grupi i deputetëve nënshkrues) dhe shqyrtimit për herë të parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shpronësimin e pronës së paluajtshme, për të cilat ka marrë vendim Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e kaluar, në këtë seancë do të shqyrtohen për herë të dytë.
Projektligji për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe ai për Pagat e nëpunësve civilë, kurse për herë të parë do të shqyrtohet edhe Projektligji për efiçiencën e energjisë.
Në të njëjtën seancë do të shqyrtohen edhe propozim-amendamentet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar, Raporti i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (për vitin 2009), Raporti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (për vitin 2009), si dhe Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për Barazi Gjinore.
Pasi ka shqyretuar Raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2009, Raportin e Zyrës së Rregulltarorit për Ujë dhe Mbeturina dhe Raportin e Autoritetit të Avacionit Civili, për vitin 2009, Kryesia ua ka deleguar ato komisioneve gjegjëse funksionale, duke i ngarkuar që për Kuvendin të përgatisin raportet me rekomandime.
Kryesia ka shqyrtuar, ndërkaq, edhe disa ftesa dhe kërkesa të anëtarëve të komisioneve parlamentare dhe të deputetëve të veçantë për udhëtime dhe takime pune jashtë vendit.
Anëtarët e Kryesisë janë njoftuar me vendimin e Grupit Parlamentar për Integrime për zëvendësimin e kryetarit të këtij grupi (në vend të z. Numan Baliq kryetar do të jetë z. Branislav Gërbiq). Janë njoftuar gjithashtu që deputetet Njomza Emini dhe Melihate Tërmkolli kanë kaluar në grupe të tjera parlamentare.