Kuvendi dhe GIZ nënshkruajnë marrëveshje prej 7.8 milionë euro
Prishtinë, 14 shkurt - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim udhëheqësit e Organizatës gjermane për zhvillim dhe bashkëpunim ndërkombëtar GIZ, James Macbath, drejtor për Kosovë dhe Maqedoni, dhe Kadri Jogiste, udhëheqëse e Projektit për reformën në financat publike në Kosovë.
Pas takimit, kryeparlamentari Veseli dhe udhëheqësit e GIZ-it kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, në vlerë prej 7.8 milionë eurosh, në mbështetje të Kuvendit, në kohëzgjatje prej tri vitesh.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, organizata gjermane GIZ do të vazhdojë mbështetjen financiare dhe profesionale për Komisionin për Buxhet dhe Financa dhe Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike të Kuvendit të Kosovës.
Duke e falënderuar shtetin gjerman dhe GIZ-in për përkrahjen e vazhdueshme që iu japin institucioneve të Kosovës, kryeparlamentari Veseli tha se kjo marrëveshje synon të rrisë kapacitetet e Kuvendit në fushën e saj më të rëndësishme, atë të buxhetimit dhe të mbikëqyrjes së shpenzimit të parasë publike.
Politika publike dhe ajo fiskale duhet të shërbejnë në interes të shoqërisë dhe mbi të gjitha duhet të promovojnë mirëqenies dhe barazi, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Ai garantoi se paratë e popullit gjerman do të shfrytëzohen në mënyrë transparente, në funksion të ngritjes së kapaciteteve të institucioneve të Kosovës dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve.
Udhëheqësit e GIZ-it, James Macbath dhe Kadri Jogiste, këtë marrëveshje e konsideruan të një rëndësie të veçantë, nëpërmjet të cilës qeveria gjermane po përpiqet të ndihmojë institucionet e Kosovës në kultivimin e mëtejmë të transparencës, përgjegjësisë dhe të llogaridhënies para qytetarëve.