Kuvendi, 60 mijë euro për laptopë
Prishtinë, 23 maj - Rreth 60 mijë euro i ka shpenzuar Kuvendi i Kosovës për blerjen e llaptopëve për deputetët dhe disa pajisje të zërimit.
Ky institucion që udhëhiqet nga Jakup Krasniqi ka shpallur të mërkurën fituesin e këtij tenderi kompaninë PBC-Kosova, e cila kishte konkurruar me një çmim prej 59 mijë e 23 euro, krahas çmimit më të lartë prej rreth 70 mijë euro.
Ismet Krasniqi, sekretar i Kuvendit të Kosovës, ka pohuar të mërkurën për Zërin se në këtë tender prej rreth 60 mijë eurosh nuk parashihet blerja vetëm e llaptopëve për depuetët, mirëpo edhe disa pajisjeve të zërimit, mirkofonëve, dëgjueseve etj.
Sipas Krasniqit, llaptopë do tu blihen vetëm 36 deputetëve, krahas 120 sa janë në Parlament.
Llaptopë do të blihen vetëm për deputetët e legjislaturës së tretë që kanë kaluar në të katërtën, pasi që llaptopët që u janë dhënë më herët tashmë nuk janë funksionalë, ka sqaruar Krasniqi.
Zyrtarët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë se çfarë llaptopë u janë blerë ligjëvënësve dhe me çfarë çmimi janë blerë të njëjtit, me arsyetimin se specifikat kanë qenë publike në dosjen e tenderit.
Llaptopët jofunksionalë
Myzejene Selmani, shefe e grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovën e Re, thotë se nuk ka dijeni se çfarë llaptopë u janë blere deputetëve, pasi që ende nuk i kanë sjellë ata në Kuvend.