Kusari-Lila: Qasja në financa sfidë për Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme
Prishtinë, 17 tetor - Agjencia për Mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë organizoi konferencën Nisma për zhvillimin e ndërmarrjeve dhe lehtësirave inovative në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë konferencë, bizneset dhe përfaqësuesit e institucioneve u informuan nga përfaqësues të lartë të OECD-së (Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik) për 18 reforma për zhvillim të ndërmarrjeve, prej të cilave sot u zgjedhën 3 si prioritare.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë znj. Mimoza Kusari Lila në fjalën e saj hapëse tha se Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme kanë ende mangësi në qasjen në financa Në raport me bizneset kosovare, bizneset e vendeve tjera të Evropës Juglindore kanë përparësi në qasjen në financa, kredi të buta, në grante dhe forma tjera të asistencës që i marrin nga mekanizmat e Komisionit Evropian apo të mekanizmave tjerë të krijuar brenda këtyre shteteve.
Më tutje, zëvendëskryeministrja Kusari - Lila tha se synimi i Qeverisë së Kosovës është qasja në Fondin Investiv për Ballkanin Perëndimor Nga ky fond përfitojnë 4100 ndërmarrje ku bizneset start up mund të marrin kredi nga 6,000 deri në 10,000 euro, ndërsa ndërmarrjet ekzistuese mund të marrin kredi në vlerë prej 200,000 euro. Kjo do të ishte një lehtësi e madhe për bizneset kosovare. theksoi ajo.
Si sfidë për sektorin privat por edhe për atë publik, sipas zëvendëskryeministres Kusari Lila mbetet kapitali njerëzor dhe edukimi që konsiderohen si faktor kyç në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës.
Gjatë tërë ditës u prezantuan të gjeturat preliminare të OECD-së, ku sipas raportit të tyre barrierë kryesore për vendet e rajonit e posaçërisht në Kosovë mbetet qasja në financa. Ky është projekt 3 vjeçar ku fillimisht punohet në problemet dhe nevojat që paraqiten për zhvillim e ndërmarrjeve në Kosovë dhe më pas qasjen e fondeve nga ana e bizneseve kosovare.
Në bashkëpunim me bizneset dhe institucioneve të Republikës së Kosovës u vendosën sot këto prioritete: rritja e gatishmërisë së investimeve të ndërmarrësve , promovimi i specifikave te edukim dhe trajnim profesional te kompanive dhe ndihma për NVM-të që të adaptojnë standardet teknike, në mënyrë që të nxisë rritjen e konkurrencës në eksportet e tyre. Nga dhjetori i këtij viti do të fillohet të punohen në këto prioritetet me qëllim të ngritjes së zhvillimit të ndërmarrjeve.