Kusari-Lila: E gjeta Komunën të mbytur në borxhe
Gjakovë, 5 janar - Kryetarja e Gjakovës, Mimoza - Kusari Lila, thotë se parardhësi i saj, Pal Lekaj dhe qeverisja e kaluar lokale kanë investuar rreth gjysmë milioni euro për të ashtuquajturin zhavor elektoral, gjatë muajve nëntor e dhjetor, e për këtë nuk e kanë paguar asnjë cent.
Përveç kësaj shume, mendohet se qeverisja e kaluar ka lënë edhe një borxh tjetër mjaft të madh, me të cilin tashmë duhet të përballet struktura e re qeverisëse, pretendon Kusari Lila, e cila pas marrjes në dorë të letrave, thotë se ka kuptuar se borxhet e Komunës janë dukshëm më të mëdha sesa ajo ka pritur.
Vetëm nga Drejtoria e Shërbimeve Publike kemi 2.5 milionë euro borxh. Sa për informatë, të hyrat vetjake gjatë vitit 2013 kanë qenë jo më shumë se 2.1 milionë euro. Pra, vetëm borxhet e një drejtorie i tejkalojnë të hyrat vetjake, ka thënë Kusari Lila.
Ajo ka shtuar se ka informacione se edhe nga drejtoritë tjera kanë mbetur borxhe të mëdha të papaguara, prandaj tashmë ka lëshuar një urdhëresë që të gjitha drejtoritë ta bëjnë përgatitjen e borxheve të mbetura, gjegjësisht të situatës reale financiare të këtyre drejtorive.
Duke e pasur parasysh trendin, vetëm mund ta paramendoj se sa do të jetë shifra përfundimtare e këtyre borxheve, ka shprehur shqetësimin e saj Kusari Lila.
E pyetur se a do të paguajë Komuna të gjitha borxhet që qeveria e kaluar ka lënë pas vetes, Kusari Lila e ka pohuar një gjë të tillë, por ka thënë se çdo cent do të paguhet vetëm pas një verifikimi të plotë. /Zëri