Kusari Lila raporti në Komisionin Parlamentar për Brezovicën

Prishtinë, 8 prill - Me ftesë të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari - Lila, raportoi sot për Zhvillimin e Projektit Brezovica, me fokus të veçantë ndikimin e këtij projektit në ambient.
Zëvendëskryeministrja Kusari - Lila, fillimisht sqaroi bazën mbi të cilën ka filluar zhvillimi i planit të Brezovicës.
Ajo theksoi se projekti është hartuar për të minimizuar ndikimin mjedisor pasi është pikërisht mjedisi ajo që paraqet vlera të një investitori, duke krijuar një vendpushim malor për 12 muaj.
Objektivat kryesore janë që Projekti i Brezovicës të ketë një ndikim maksimal ekonomik dhe minimal mjedisor, përkatësisht që ndikimi në mjedis të jetë sa më i vogël i mundshëm në kuptimin e pasojave që mund ti ketë në mjedis, tha ministrja Kusari Lila.
Pas prezantimit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, pati pyetje sa i përket Zonës A, e njohur si zonë strikte, apo me rëndësi të lartë të ambientit. Sipas tij, kjo nuk do të duhej të ishte pjesë e këtij plani fare, pasi që do të dëmtojë këtë pjesë shumë të rëndësishme.
Në anën tjetër, zëvendëskryeministrja Kusari Lila tha se është shumë herët të diskutohet për ndikimin mjedisor të këtij projekti, pasi që tani është faza e shprehjes së interesit.
Të gjithë investitorët që kanë marrë shprehjen e interesit, qartë është treguar rëndësia e Zonës A. Ne kemi prezantuar Brezovicën si tërësi, por fokusi fillestar do të jetë rivitalizimi i Brezovicës ekzistuese dhe më pas do të shikohen pjesët tjera të Brezovicës së re, theksoi ajo.
Projekti i Brezovicës është deklaruar përmes Qeverisë si Prioritet Nacional. Me vendim të qeverisë është formuar Komiteti Drejtues Ndërministror, i përbërë nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ministri i Pushtetit Lokal, ministri i Financave, ministrja e Integrimeve Evropiane, kryetari i Komunës së Shtërpcës dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, njëherësh kryesuese e këtij komiteti.