15 Janar 2025

Kusari – Lila prezanton sfidat ekonomike të Kosovës

Vjenë, 20 nëntor - Në Forumin e nëntë prestigjioz ekonomik të Vjenës, zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari – Lila tha se Kosova dhe rajoni është e përkushtuar të punojë në rrugën për integrimin në Bashkimin Evropian.

Ky forum ka për qëllim promovimin e tregtisë dhe investimeve në mes të shteteve të Evropës Juglindore dhe Austrisë.

Në një pjesëmarrje të kryeministrave, ministrave dhe presidentëve të shteteve, zëvendëskryeministrja Kusari – Lila tha se Kosova dhe Serbia kanë një histori jo të mirë, megjithatë këto vende vazhdojnë të jenë partner serioz në tregti dhe biznes.

“Kemi kaluar nëpër shumë sfida dhe është dashur të merren vendime të vështira siç ishin masa e reciprocitetit ndaj Serbisë, mirëpo janë pikërisht këto vendime që kanë ndihmuar ekonomikisht Kosovën dhe bizneset në Kosovë vazhdojnë të eksportojnë në Serbi” – theksoi ajo.

Zëvendëskryeministrja Kusari-Lila tha se rajoni i Evropës Juglindore vuan nga imazhi jo i mirë. Ajo shihet si një rajon jo stabil dhe i konflikteve, mirëpo një gjë e tillë duhet të ndryshojë.

“Ky rajon duhet të shihet si një burim i ndryshimeve dhe i transformimit, si një potencial i madh ekonomik në të ardhmen e afërt” – tha ndër të tjera Kusari – Lila.

Më tutje, në fjalën e saj zëvendëskryeministrja Kusari-Lila përmendi sukseset e Kosovës në sferën e zhvillimit ekonomik.

“Kosova ka pasur një rritje të GDP-së prej 5% mesatarisht për 5 vitet e fundit, përderisa e tërë Evropa dhe shtetet e Evropës Juglindore janë sfiduar të arrijnë rritje pozitive”, ka thënë Kusari-Lila, e cila shtoi se detyra jonë është që të hapim tregje të reja për bizneset tona, të krijojmë kushte më të favorshme dhe të rrisim konkurueshmërinë e bizneseve të rajonit përballë bizneseve të Bashkimit Evropian.

Ajo foli edhe për marrëdhëniet tregtare me CEFTA-n, e cila ende po shkelet nga vendet e rajonit. Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari – Lila kërkoi që Bashkimi Evropian të bëjë më shumë në ngritjen e kapaciteteve, konkurrueshmërisë dhe inkurajimin e kreativitetit dhe inovacionit në vendet e Evropës Juglindore.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari-Lila, kërkoi që të eliminohen pengesat që vështirësojnë të bërit biznes dhe të inkurajohen bizneset të investojnë në hulumtim dhe zhvillim.

“Duhet të implementohen politika më të mira ekonomike të cilat lejojnë rajonin të jetë më atraktiv tek investitorët e huaj dhe në këtë mënyrë të rriten investimet e huaja direkte”, theksoi ajo. Kosova ka pasur një rritje të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) për 2 vitet e fundit, dhe parashihet të ketë një rritje prej 6 për qind në vitin 2012, duke arritur në mbi 400 milionë euro, megjithatë pjesëmarrja e Kosovës për nga IHD në tërë rajonin është vetëm 10 për qind.

Në fund, në forum, i cili e ka qëllim kryesor bashkëpunimin ekonomik të Evropës Juglindore, ministrja Kusari – Lila tha se Kosova është e përkushtuar të përmirësojë ambientin investiv përmes reformave që përfshijnë edhe administratën publike.

“Vetëm përmes reformave të tilla, ne mund të kemi investime të huaja serioze  dhe pa investime të huaja nuk ka zhvillim të vërtetë”, përfundoi ajo.

Kosova është pjesë e Forumit Ekonomik të Vjenës nga viti 2003, kur edhe është themeluar ky forum.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)