10 Maj 2024

Kurti: Qeveria përdorë korrupsionin si argument për privatizim

Prishtinë, 3 tetor - Në Kuvendin e Kosovës është zhvilluar sot debat i ashpër për privatizimin.

Albin Kurtit në seancën e Kuvendit të Kosovës ku u diskutua lidhur me privatizimin në Kosovë ka theksuar se logjika privatizuese në Kosovë është e mbërthyer brenda një paradoksi të dyfishtë.

Sipas tij së pari, për vite të tëra është thënë që në ndërmarrjet kosovare, përfshirë këtu PTK-në dhe KEK-un, ka shumë korrupsion, prandaj ato duhet të privatizohen që të eliminohet korrupsioni.

Njëkohësisht, të gjitha Qeveritë janë zotuar për çdo ditë për luftimin e korrupsionit, prej konceptit të ‘sundimit të ligjit’ e deri te parulla e ‘zero tolerancës’.

Mirëpo sipas Kurtit përvoja e pasluftës na e ka dëshmuar që patëm privatizim por nuk patëm sundim të ligjit dhe as zero tolerancë ndaj korrupsionit. Kjo për arsyen që prioritet në Kosovë ka qenë privatizimi si lëndë djegëse për tranzicionin.

Ky tranzicion siç ka thënë Kurti  nuk ka qenë tranzicion drejt vendimeve për privatizim, por vendim rapid për privatizim, me zbatime tranzitive të privatizimit, gjë që e konfirmon privatizimin si prioritet.

“Këto Qeveri që e përdornin korrupsionin si argument për privatizim, nuk mund ta luftonin korrupsionin përderisa e kishin privatizimin në krye të agjendës. Pra, prioriteti i privatizimit të këtillë ku nuk lejohen debate pse të privatizojmë, kur të privatizojmë, çka të privatizojmë, sa të privatizojmë, si të privatizojmë dhe kujt t’ia shesim, e pamundëson luftimin e vërtetë të korrupsionit. Para se korrupsioni të jetë motor i privatizimit, është intenca e privatizimit ajo që e gjen ose e fabrikon korrupsionin, duke e pasur të nevojshëm atë”, ka thënë Kurti.

Së dyti sipas tij privatizimi i aseteve madhore si PTK dhe KEK, bazohet po aq shpesh te keq-menaxhimi i tyre.

Ai ka theksuar se nëse këto asete janë të keq-menaxhuara e me shumë korrupsion në to, dhe nëse Qeveria është e paaftë të ulë nivelin e keq-menaxhimit aty, atëherë duhet të largohet Qeveria dhe jo asetet publike, në mënyrë që të vijë një Qeveri tjetër e aftë t’i menaxhojë ato.

“Është absurde të mendohet se një Qeveri që është e paaftë të menaxhojë me efikasitet dhe pa korrupsion është e aftë t’i privatizojë asetet publike me efikasitet dhe pa korrupsion. Më mirë t’i kemi ndërmarrjet publike dhe korrupsionin në to, se sa privatizim të korruptuar në fund të së cilit nuk i ke më ndërmarrjet. Nëse ka korrupsion dhe keq-menaxhim në ndërmarrjet publike, aq më shumë do të ketë korrupsion dhe keq-menaxhim me rastin e privatizimit të tyre si dhe aq më i madh do të jetë dëmi i shkaktuar.”

 Ai ka shtuar se privatizimi i këtyre korporatave të fuqishme është privatizim i monopoleve që nuk lejon që privatizimi i aseteve të përcillet me liberalizimin e tregut. Sërish përvoja e ka dëshmuar gjithandej nëpër botë, se kur vjen puna te monopolet, më mirë të ketë monopol publik sesa monopol privat.

Në rastin konkret, sipas tij asetet si KEK-u janë në situatë monopoli në treg dhe, për pasojë, privatizimi nuk vepron në përmirësimin e tyre. Ideja e privatizimit bazohet te mekanizmi i konkurrencës si mekanizëm korrektiv që e detyron një ndërmarrje të përmirësojë menaxhimin.

Nderkaq ministrit Besim Beqaj në debatin  për privatizimin ka theksuar se Qeveria e Kosovës, konform Kushtetutës së Republikës dhe në harmoni me vizionin për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, është e përcaktuar për reforma strukturale ekonomike, për funksionalizim të ekonomisë së tregut, për fuqizim të sektorit privat, për vendosje të normave të larta profesionale dhe institucionale në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

“Zhvillimi i qëndrueshëm në vete përmban elementet e zhvillimit ekonomik, ato të kohezionit socio-ekonomik dhe ato të ruajtjes së ambientit”, ka thënë ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj sot në seancën e Kuvendit të Kosovës kushtuar procesit të privatizimit.

Me këtë rast, ministri Beqaj ka thënë se gjate procesit është siguruar respektim i plotë i ligjit dhe transparencë e plotë.

“Parimi i transparencës, konkurrentshmërisë, trajtimit të barabartë të të gjitha kompanive të interesuara, diskutimi i hapur me të gjithë akterët vendorë dhe ndërkombëtar, punë profesionale, valorizim maksimal i resurseve natyrore dhe njerëzore, ruajtje e plotë e interesit të punonjësve, investimet afatgjata të cilat përmirësojnë infrastrukturën, eliminim i garancioneve shtetërore dhe eliminim i subvencionimit për mosinkasim, reduktimi i humbjeve komerciale dhe atyre teknike, janë parimet bazë të cilat i kanë përcjell dhe do i përcjellin këto transaksione”, tha ai.
 
Beqaj tha se Qeveria e Kosovës beson shume fuqishëm në ekonominë e tregut. Ajo është e vendosur për të krijuar, bazë legjislative të mirëfilltë, infrastrukturë të nevojshme për zhvillimin e vendit, si dhe politika të mirëfillta ekonomike.

“Të gjitha këto janë detyrë e Qeverisë së Kosovës, sepse këto punë nuk mund t’i bëjë sektori privat, por ne jemi të bindur se filozofia e ekonomisë së tregut e dëshmuar deri me tani në të gjitha ekonomitë e suksesshme botërore kërkon që zhvillimi ekonomik, rritja e vendeve të punës, rritja e mirëqenies së qytetarëve janë punë të cilat realizohen nga sektori privat”, tha kreu i MZHE-së.

Duke iu referuar disa deklaratave lidhur me rolin e sektorit privat, ministri Beqaj tha se Qeveria në asnjë rrethanë nuk konsideron se sektori privat është shkatërruesi i shtetit, se është sektor i kriminalizuar siç është prezantuar ditëve të fundit nga akterë të ndryshëm dhe huazi profesionistë të ekonomisë.

“Ky sektor punëson më se 80% të punonjësve të Kosovës dhe është kontribues i fuqishëm i buxhetit, buxhet ky i cili i siguron pagat për arsimtarët, për policët, për ushtarët, për pensionistët,  financon krijimin e universiteteve të reja, ndërtimin e shkollave të reja, mundëson ndarjen falas të librave shkollor për nxënësit e Republikës sonë dhe njëkohësisht financon të gjitha projektet tjera të infrastrukturës, projekte këto që po e bëjnë qytetarin tonë aspirues të denjë për integrim në BE”.

Beqaj tha se si përcjellës aktiv të zhvillimeve historike, politike dhe ekonomike në Kosovë duhet të jemi racional në paraqitjen e realitetit ekonomik të pasluftës në Kosovë dhe të qartësojmë përfundimisht që nuk është privatizimi ai që ka shkatërruar dhe po shkatërron ekonominë e vendit.

“Kosova është shkatërruar ekonomikisht nga politika okupuese dhe shkatërruese serbe dhe nga lidhja e ekonomisë së Kosovës me atë të Serbisë, dhe mund të shkatërrohet sërish me politika të gabuara. Në vitet 90-ta kur Kosova ishte pjesë e ekonomisë së planifikuar të Ish Jugosllavisë asnjë ndërmarrje shoqërore nuk është menaxhuar në bazë të asnjë parimi ekonomik. Të gjitha ndërmarrjet shoqërore dhe publike për 10 vite të tëra janë plaçkitur dhe shkatërruar vazhdimisht duke kulminuar edhe me shkatërrim të tërë infrastrukturës përcjellëse të tyre gjatë luftës”, ka thënë ai.

Sipas Beqaj, sektori privat dhe privatizimi nuk shkatërron ekonominë, por atë e bëjnë politikat ngulfatëshe, qasja centralizuese dhe tendenca nacionalizuese e shkatërrojnë atë dhe e fundosin për gjenerata e gjenerata.

“Unë jam shumë i bindur se të gjithë ata njerëz të cilët nuk e përkrahin ekonominë e tregut, të cilët propagandojnë ekonomi të planifikuar dhe të centralizuar, të gjithë ata të cilët fatkeqësisht po pengojnë ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë, të gjithë ata të cilët po dezinformojnë popullin dhe po bëjnë fushatë politike, këtë po e bëjnë në dëm të zhvillimit ekonomik, në dëm të mirëqenies së qytetarëve, në dëm të ardhmërisë së fëmijëve tonë dhe fatkeqësisht janë në anën e gabuar edhe politike edhe ekonomike”, tha numri një i MZHE-së.

Duke iu referuar deklaratave te ndryshme lidhur me privatizimin e Trepçën, ministri Beqaj tha se nuk dine se ku dhe cilat institucione vendore kane falur për ketë çështjet, aq me parë kur BSPK ka perfaqesuesin e vet ne Bordin e AKP-se , e cila është përgjegjëse për “Trepçën.
 
 
Me këtë rast ministri Beqaj si ilustrim të gabimeve zhvillimore përmendi rastin e Sllovenisë dhe Gjermanisë Lindore. “Shumë profesionistë janë thirrur në modelin e suksesshëm slloven, ku shteti ka ruajtur ndikimin e vet ekonomik, andaj po ua përkujtoj  sot që Sllovenia është vendi i gjashtë i BE i cili mund të kërkojë ndihmë financiare nga BE për t’i shpëtuar falimentimit”, tha ai.

Ministri nënvizoi se kjo është një dëshmi se si gabimet ekonomike mund t’i paguajnë gjeneratat e tashme me mangësi zhvillimore, dhe gjeneratat e ardhshme duke paguar koston e tyre në faza të mëvonshme.

“Ekonomia e tregut është e rendë, kërkon reforma, kërkon përgjegjësi por definitivisht nuk ka alternativë dhe ky është besimi i Qeverisë së Kosovës. Qytetarët e Republikës sonë nuk kanë kujtime të mira për sistemin socialist dhe as për Jugosllavinë, prandaj ju bëj thirrje të mos bëhemi pjesë e anës së gabuar profesionale dhe politike sepse gjeneratat këtë nuk do na falin”, porositi ministri i zhvillimit ekonomik.

Në fund ministri Beqaj tha se ka pengesa për ta penguar këtë  reformë strukturale të ekonomisë dhe këto pengesa nuk vijnë vetëm nga brenda por vijnë edhe nga jashtë.

“Për informimin tuaj kemi një letër që vjen nga Aleksander Vulin, i cili bën ftesë për ta ndërprerë procesin e privatizimit dhe ka pretendime të drejtpërdrejta mbi ekonominë e Kosovës dhe mendoj që këto gjëra duhet të trajtohen në veçanti”, tha ndër të tjera Beqaj. 

Kryetari i grupit, Adem Grabovci tha se privatizimi është zhvilluar me transparencë të plotë dhe në bazë të standardeve ndërkombëtare dhe se nuk mund të ndalet.Teuta Sahatqia nga LDK-ja tha se kjo parti e mbështet në parim privatizimin, por theksoi se duhet të rishikohet privatizimi i disa aseteve publike, që privatizimi i PTK-së të sillet në Kuvend për miratim bashkë me një strategji përkatëse, të rishikohet strategjia energjetike.

Ndërkaq Donika Kadaj Bujupi, nga AAK-ja tha se ky proces duhet të ndërpritet menjëherë dhe të bëhen hetimet përkatëse.

Por kryetari i parlamentit Jakup Krasniqi tha se privatizimi duhet të vazhdojë, por për këtë ai tha se duhet një debat cilësor dhe konsensus i gjerë dhe të krijohet një bord kombëtar që nuk i nënshtrohet sekserëve. Ai theksoi se populli duhet të qeverisë me pasuritë tokësore e nëntokësore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)