02 Nëntor 2024

Kurti: Koronavirusi sfidë e përbashkët, përtej çdo mospajtimi politik

Prishtinë, 20 prill - Sot, me ftesë të Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mbajt tryeza me përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve politike për menaxhimin e pandemisë me COVID 19.

Ftesës për pjesëmarrje në këtë tryezë iu përgjigjën Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Memli Krasnqi.

Ndërkaq prezentë ishin edhe Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia dhe Zëvendësministri i Financave dhe Transfereve në detyrë, Ilir Aliu.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalën e tij hapëse prezantoi situatën aktuale me COVID 19 në Kosovë dhe masat që i ka marrë Qeveria e Kosovës deri më tash për ta menaxhuar këtë situatë.

Ai i njoftoi të pranishmit se në biseda telefonike me kryetarët e të gjitha komunave në Kosovë janë vlerësuar të gjitha nevojat që ato i kanë, e më pas ai edhe i ka vizituar deri më tash 15 prej tyre, që të njoftohet më për së afërmi me situatën në terren.

Kurti poashtu tregoi se janë organizuar katër tryeza me ambasadorë ku janë shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit dhe ndihmës, është hapur llogari e veçantë në thesarin e Republikës së Kosovës për menaxhim me pandeminë e COVID 19, ku deri më tani janë mbledhur rreth 400 mijë euro, derisa vlera e ndihmës së marrë deri tash nga organizatat dhe shtetet e huaja ka arritur në 341 milionë euro.

Kryeministri Kurti poashtu shpjegoi se masat në fuqi janë marrë nga Ministria e Shëndetësisë me rekomandim të epidemiologëve dhe IKShPK-së dhe do të jenë në fuqi deri më 4 maj, me ç’rast do të rishqyrtohet situata.

Nga ana e saj Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nga takimet e saj me kryetarë të komunave vërehet një brengë rreth ndaljes së projekteve kapitale, sidomos atyre të furnizimit me ujë, duke e pasur parasysh se sa e rëndësishme është higjiena personale në këtë situatë.

Ndërkaq sa i përket kredive nga organizmat ndërkombëtarë financiarë dhe nga shtetet individuale, ajo shprehu gatishmërinë e Kuvendit që të japë garancinë politike që kreditë dhe ndihmat të realizohen.

Ajo foli edhe për tri nismat legjislative që janë në procedurë të Kuvendit, dy të propozuara nga GP i PDK-së dhe e treta që derivon drejtpërdrejtë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për kufizimin e lëvizjes, në mënyrë që mos të ketë probleme të natyrës juridike për të ndërmarrë masat.

Ajo potencoi se si institucion janë munduar të jenë sa më bashkëpunues me Qeverinë e Kosovës për menaxhimin më të mirë të situatës.

Ndërkaq, Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh përfaqësues i PDK-së në këtë takim, Memli Krasniqi tha se vet prezenca e tij në këtë takim tregon për përkushtimin e PDK-së për t’i tejkaluar interesat partiake për çështjen me rëndësi për vendin.

Ai e quajti këtë ftesë të vonuar, ndërkaq që shfaqi pakënaqësinë se iniciativat e PDK-së lidhur me menaxhimin e pandemisë deri më tash nuk janë marrë parasysh nga Qeveria, me theks të veçantë te masat për kufizim të lëvizjes dhe pakoja financiare.

Megjithatë, Krasniqi theksoi gatishmërinë e partisë së tij për të kontribuar, me përgjegjësinë si partia më e madhe opozitare.

Ai bëri thirrje që së bashku, pa dallime e në interes të qytetarëve, në Kuvend të hartohet një projekt ekonomik për ta kaluar këtë situatë.

Në fund Kryeministri në detyrë Kurti ritheksoi edhe një herë gatishmërinë sikurse edhe nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional me qëllim të menaxhimit të situatës së krijuar me COVID-19.

Kjo sipas tij është sfidë e përbashkët, përtej çdo mospajtimi politik, prandaj edhe përpjekja duhet të jetë e përbashkët. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)