Kurti: Dega më e rëndësishme e ekonomisë është prodhimi
Suharekë, 27 korrik - Sot Lëvizja Vetëvendosje! organizoi një tubim me banorët e fshatit Mushtisht, të Komunës së Suharekës.
Tubimin e hapi Kadri Bytyqi, kryetar i pikës në këtë fshat, i cili u dëshiroi mirëseardhje të pranishmëve dhe i prezantoi panelistët.
Më pas kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Suharekë, Leonard Shala,në fjalën e tij u ndal në keqqeverisjet që janë bërë në Suharekë nga të gjitha udhëheqjet komunale të pasluftës.
Ai tha se të gjitha subjektet politike që kanë qeverisur veç sa e kanë degraduar komunën dhe janë shkëputur nga qytetarët dhe nevojat e tyre.
\"Asnjë nga këto qeverisje nuk i kanë mbajtur premtimet, por investimet kryesisht në infrastrukturë të dobët i bëjnë vetëm në kohë fushatash.
Hysen Durmishi në fjalën e tij tha se të gjithë kemi pritur që pas luftës do ta gëzojmë lirinë dhe do të kemi zhvillim ekonomik e mirëqenie, mirëpo sot jemi dëshmitarë se 14 vjet pas luftës po përballemi me një eksod të njerëzve për të dalë jashtë e për tu katandisur burgjeve të Evropës.
\"Kjo po ndodh për shkak të mos zhvillimit, papunësisë dhe varfërisë së madhe\" tha Durmishi.
\"Ky pushtet aktual e ka shndërruar Kosovën në vend të pashpresë\", potencoi ai. \"Qytetarët duhet të vetëdijesohen dhe organizohen për ta ndërruar këtë gjendje. Zgjedhjet e 3 nëntorit janë rasti më i mirë për ta bërë këtë\", porositi në fund Hysen Durmishi.
I fundit fjalën e mori Albin Kurti, i cili tha se për Lëvizjen Vetëvendosje! është shumë e rëndësishme që të ketë këso tubime të drejtpërdrejta me qytetarë, në mënyrë që ta dëgjojmë njeri tjetrin dhe të flasim hapur.
Ne jemi të interesuar që në politikë ta kthejmë edhe moralin edhe idealet dhe kësisoj interesin e përgjithshëm ta mbajmë mbi atë të veçantë, tha Kurti.
\"Në Kosovën e pas luftës i kemi pasur dy procese dominuese: privatizimin dhe negociatat me Serbinë. Procesi dhe projekti i parë e ka deindustralizuar Kosovën, kurse procesi dhe projekti i dytë po e krijon një shtet brenda shtetit të Kosovës\", vazhdoi Kurti.
Nga procesi i parë kemi përfunduar me papunësi të shtuar e me deficit tregtar, ndërkaq shteti brenda shtetit do ta ketë kontrollin mbi zhvillimin ekonomik, shëndetësinë, arsimin dhe planifikimin urban e rural, ashtu si e ka definuar marrëveshja Thaçi-Daçiç, shpjegoi ai.
Ne kemi nevojë për zhvillim ekonomik që bazohet në prodhim dhe sjell punësim për qytetarët, sepse pa punësim nuk ka para dhe pa para nuk ka mirëqenie, theksoi ai.
Duke e ilustruar gjendjen, ai kritikoi Qeverinë e cila i ndan vetëm 2% për bujqësi dhe ato më shumë si investime në vet ministrinë se sa në subvencione.
Ai tregoi se si në Alternativën qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje! dega më e rëndësishme e ekonomisëështë prodhimi. Duke theksuar se konsumi na individualizon kurse prodhimi na kolektivizon.
Ai po ashtu e nënvizoi rëndësinë e lidhjes së edukimit me ekonominë, si mënyrë për ta ndihmuar zhvillimin.
Albin Kurti foli edhe për çështjen e remitancave që vinë në Kosovë nga diaspora jonë. \"Ata që dikur na e financuan luftën, sot po na e mirëmbajnë paqen\", duke theksuar se Qeveria nuk bën asgjë për të tërhequr investime nga bashkatdhetarët jashtë vendit.
\"Pushtet tjetër që guxon ta luftojë korrupsionin deri në fund dhe ta çlirojë popullin dhe ekonominë tonë nuk ka përveçse VetëvendosjeE! -s. Ne e kemi dijen, vullnetin dhe guximin për t\'u përballur me ta\", tha në fund Albin Kurti.