Kursimi i ujit të pijshëm, i domosdoshëm
Prishtinë , 19 maj Pas reshjeve atmosferike mbi vendin tonë, liqenet akumuluese Batllava dhe Badoci kanë shënuar ngritje të konsiderueshme, sa që shumë shpejtë arritën edhe kuotën maksimale e deri në kapërderdhje.
Kjo e ndihmoi KURPrishtina sh.a., që ti furnizojë me ujë të pijshëm konsumatorët e kryeqytetit dhe shtatë komunat e tjera, duke i eliminuar tërësisht reduktimet e ujit gjatë ditës.
Jemi duke hyrë në sezonin e verës dhe menjëherë kanë filluar të rriten kërkesat për ujë të pijshëm në zonën e shërbimit edhe pse, furnizimi me ujë tash për tash është mjaft stabil.
Shpenzimi racional i ujit të pijshëm në këtë periudhë është i domosdoshëm.
Uji sot nuk duhet të shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar, me çrast mund ti zvogëlojmë rezervat e ujit të pijshëm, por ai duhet kursyer pikë për pikë!
Roli i ujit është thelbësor për qeniet e gjalla dhe planetin, ai na nevojitet për pije, shtëpi dhe kopshte, por me rëndësi është ta kuptojmë domethënien e përdorimit jo të drejtpërdrejt të ujit si për prodhim, furnizim dhe zhvillim.
Hapat që ne ndërmarrim sot për kursim të ujit, janë të një rëndësie jetike për ne dhe fëmijët tanë.
Cfarë mund të bëjë secili prej nesh, për të ndaluar keqpërdorimin e ujit?
Mos lejoni të rrjedhë ujë kot nga rubineti juaj,
Mos përdorni ujin e pijshëm për të larë veturat,
Mos përdorni ujin e pijshëm për ndërtime të shumta në qytet,
Mos pastroni trotuaret me ujin e pijshëm,
Mos harroni ti mbyllni çezmat tuaja, pasi lani dhëmbët,
Mos vadisni lulet, kopshtet dhe arat,
Paguani rregullisht ujin që konsumoni,
Mos lejoni ndërhyrjet pa leje në rrjetin e ujësjellësit,
Të gjithë jemi përdorues të ujit, prandaj ne jemi edhe përgjegjës për ta shfrytëzuar atë në mënyrë të drejtë.
Ujin mund ta zëvendësojë vetëm uji, andaj kurseje atë.
Nëse i përmbaheni këtyre rregullave , sidomos në këtë periudhë, Kompania e Ujësjellësit Rajonal Prishtina sh.a. do ta furnizojë me ujë të pijshëm secilin konsumatorë në mënyrë të barabartë dhe pa reduktime.