04 Maj 2024

Kuçi raportoi lidhur me raportin e auditimit të MD

Prishtinë, 14 dhjetor - Shqyrtimi i raportit të auditimit të pasqyrave financiare të Ministrisë së Drejtësisë, për vitin 2010, ishte temë diskutimi gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga Ali Sadriu, kryetar i komisionit.

Anëtarët e Komisionit, fillimisht kërkuan informata shtesë nga Auditori Gjeneral, Lars Lage Olofsson, lidhur me raportin e auditimit të pasqyrave financiare të kësaj ministrie.

Ndërkaq, bazuar në këtë raport, shqetësimeve të anëtarëve të komisionit, lidhur me të gjeturat e ZAP-it, në Ministrinë e Drejtësisë dhe hapat që ka ndërmarrë ky institucion, u përgjigj zv.kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Me këtë rast, ministri Kuçi tha se gjatë vitit 2011, edhe pse është dashur të veprohet në vitin 2010,  për rekomandimet e vitit 2009, Ministria e Drejtësisë, ka ndërmarrë këto veprime: Ka deleguar të gjitha autorizimet për të gjitha aktivitetet në Shërbimin Korrektues të Kosovës, duke filluar nga buxheti, prokurimi,personeli, logjistika, pranimi i mallrave, ekzekutimi i pagesave dhe certifikimi i pagesave.

Ministri Kuçi po ashtu tha se për regjistrimin dhe menaxhimin e pasurisë kanë krijuar komisione për regjistrim të pasurisë, ndërsa pas kritikave të anëtarëve të komisionit rreth çështjes së prokurimit, ministri Kuçi tha se janë bërë ndryshime në stafin e prokurimit dhe kanë kërkuar që t’i zbatojnë të gjitha procedurat e prokurimit dhe të respektohen rregullat dhe ligjet ne fuqi.

Tutje, ai tha se me qëllim të shtimit të përgjegjësisë dhe transparencës, kanë ftuar përfaqësuesit e partive politike në opozitë dhe organizata joqeveritare, që të marrin pjesë në hapjen e tenderëve dhe vlerësimin e tyre.

Duke u përgjigjur në pyetjen e anëtarëve të komisionit, zv.kryeministri Kuçi tha se janë ndërmarrë disa veprime dhe masa për rekomandimet e vitit 2009 dhe kanë reflektuar edhe në rekomandimet për pasqyrat financiare.

Mes tjerash ai tha se MD-ja është në përfundim të udhëzuesit të ri të brendshëm, bazuar në propozimet e dala nga analizat e mangësive të ngritura në raport, që do të zbatohen nga janari i vitit të ardhshëm.

“Ky raport i ZAP-it ka gjetur pak parregullsi, meqë ka pasur shumë më shumë sosh në MD. Ky raport ka të bëjë me vitin 2010,  përfshirë edhe periudhën e qeverisjes pa ministra dhe zëvendësministra. Me këtë staf mund të përmirësohet gjendja, por jo ashtu siç dua unë.”, theksoi Kuçi duke treguar mes tjerash edhe veprimet të cilat i ka ndërmarrë ai si ministër i këtij institucioni që nga koha kur është përzgjedhur ministër i Drejtësisë.

“Veprimi i parë që kam ndërmarrë është  fakti që kemi bartur kompetenca të plota në prokurori, për administratë, për prokurim, për financa. Kemi bartur kompetenca të plota edhe në shërbimin korrektues të Kosovës, për administratë, për prokurim, për financa. Kam ndërmarrë veprime që t’i parandaloj gjërat. Kam ngritë çështje në prokurori për shkelje, të cilat janë paraqitur edhe nga ana e auditorit dhe ato i kam dorëzuar  tek kryeprokurori i shtetit që kanë të bëjnë me çështje të kontratave të  tejkaluara, çështje të pagesa jashtë kontratave dhe me çështje që kanë të bëjnë me menaxhim të keq. Kam reflektuar ndaj raportit që në ditën e parë kur jam zgjedhur ministër dhe kam ndërmarrë disa masa për ta rritur kapacitetin në ministri. Përveç shtatë rekomandimeve  nga ana e ZAP-it për ministrinë, ne kemi ndërmarrë 70 masa “, theksoi ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Duke theksuar se në MD tashmë janë ndërmarrë hapa konkret për reduktimin e shpenzimeve të telefonisë dhe udhëtimeve, Kuçi tha se që nga muaji shkurt i këtij viti në faqen zyrtare të ministrisë së Drejtësisë, çdo të premte publikohen të gjitha shpenzimet e ministrisë. 

 Anëtarët e komisionit duke përgëzuar ministrin e Drejtësisë për raportimin e tij në komision dhe veprimet e ndërmarra nga kjo ministri, theksuan se presin rezultate bazuar në të gjitha rekomandimet e ZAP-it, meqë të gjeturat janë të shumta dhe se do të realizohet zotimi i ministrit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)