Kthimi i emigrantëve rrit investimet në Shqipëri
Tiranë, 17 maj - Në katër muajt e parë të këtij viti është shënuar një trend rritës pozitiv në hapjen e bizneseve të reja në Shqipëri.
Të dhënat e fundit nga Qendra Kombëtare e Regjistrimeve (QKR) njoftojnë regjistrimin e 5.824 bizneseve të reja dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2011, rritja llogaritet 4.6%, ose me 258 biznese më shumë.
Sipas burimeve zyrtare të QKR-së, edhe regjistrimi i bizneseve të huaja në vend po ecën me të njëjtat ritme si një vit më parë.
Ndikim në rritjen e numrit të bizneseve të reja po jep kriza ekonomike në Greqi, si pasojë e të cilës po rikthehen mjaft emigrant në vendlindje, që po investojnë kursimet në biznese familjare, kryesisht, në shërbime dhe tregti.
Në tre muajt e parë në QKR u regjistruan 4006 biznese të reja, prej të cilëve në janar 1.219, në shkurt 1.731, në mars 1.036 dhe në prill, edhe 1818 të tillë.
Burime zyrtare të QKR-së thanë sot se edhe numri i bizneseve që janë çregjistruar është më i vogël nga regjistrimet dhe 62% më pak, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2011. Në total në 4 muajt e parë të 2012-ës janë çregjistruar vetëm 540 biznese, nga 1418 të tillë në 3-mujorin e parë 2011.
Sistemi i ri regjistrimit i instaluar pranë QKR-së u jep mundësi subjekteve private që të informohen në kohë reale për statusin e aplikimit të tyre dhe bizneset e reja regjistrohen brenda 24 orëve kundrejt pagesës prej 100 lekë.
Krijimi i QKR-së u mundësua nga qeveria amerikane përmes programit të Sfidës së Mijëvjeçarit në vitin 2007.