Kryetari i Gjykatës Komerciale, pret në takim përfaqësues të Misionit të FMN
Prishtinë, 25 tetor – Kryetari i Gjykatës Komerciale të Kosovës – Mahir Tutuli, zhvilloi, të martën takim me përfaqësues Rajonal për Ballkanin Perëndimor – Departamenti Evropian të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), për konsultime sipas Artikullit 4.
Kryetari Tutuli, me këtë rast informoi të pranishmit mbi ecurinë e funksionalizimit të Gjykatës Komerciale, efektet dhe pritshmëritë pozitive që synohet të ketë kjo gjykatë në zgjidhjen e kontesteve ekonomike/biznesore, dhe çështjeve gjyqësore që lidhen me investitorët e huaj, si dhe përballimin e fluksit të madh të lëndëve që ka trashëguar kjo gjykatë nga gjykatat e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë.
Gjatë këtij takimi, kryetari Tutuli informoi të pranishmit se Gjykata nuk i ka plotësuar ende të gjitha pozitat e përcaktuara me organogramin e gjykatës, si pasojë e mungesës së buxhetit për këtë gjykatë.
Nga ana tjetër znj.Ezgi Ozgul – Ozturk, ekonomiste në Departamentin Evropian, duke falënderuar kryetarin për pritje, shprehu interesimin e Misionit Konsultues të FMN, lidhur me funksionimin e Gjykatës Komerciale, ngarkesën me lëndë, numrin e gjyqtarëve dhe stafit administrativ të gjykatës, statistikat e gjykatës sipas llojit dhe departamenteve përkatëse, pengesat dhe sfidat me të cilat është duke u ballafaquar Gjykata Komerciale, pritjet në zgjidhjen e kontesteve ekonomike, si dhe për ndikimin që mund të ketë Ligji i ri i Pagave në sistemin gjyqësor.
Gjatë këtij takimi po ashtu u diskutua për planet e gjykatës për përmirësimin e efikasitetit të gjykatës, numri e gjyqtarëve të angazhuar dhe ngarkesën me lëndë, progresin në krijimin dhe zgjerimin e Gjykatës Komerciale, si dhe raportet statistikore për periudhën prej funksionalizimit të Gjykatës Komerciale.
--