Kryesuesi i Asamblesë në Suharekë shpenzoi 2520 euro për telefon

Prishtinë, 2 prill - Në komunën e Suharekës dyshohet se ka keqpërdorime të mjeteve financiare me shpenzime të shumta për mallra dhe shërbime. Këtu bëhet fjalë për shpenzime të shumta për telefoni mobile dhe për dreka e darka, shkruan sot gazeta Bota sot .
Për shpenzimet e telekomunikimit (mbushje telefoni-Vala) komuna ka shpenzua 29 mijë e 588 euro.
Ndërkaq për dreka darka ka shpenzuar rreth gjysmë milioni euro. Te mjetet e Komunës pasqyra e realizimit për vitin 2012, teprica e të hyrave kundruall të dalave të buxhetit të Republikës së Kosovës në shumë 123.001.67 janë mjete që Komunës i kanë ngelur në suficitin buxhetor qeveritar e prej tyre mjete te humbura për investime kapitale janë 120.530.63 dhe pjesa tjetër 2.471.04 janë mjete të humbura nga kategoritë e tjera ekonomike.
Luljeta Baraliu, anëtare e Asamblesë Komunale në Komunën e Suharekës nga LDK-ja, tha për gazetën Bota sot se te pasqyra e shpenzimeve të drejtorive sipas kodeve ekonomike janar-dhjetor 2012, te kategoria mallra dhe shërbime -mjete buxhetore, shihet se te shpenzimet e telekomunikimit (mbushje telefoni-Vala) komuna ka shpenzuar gjithsej 29.588 euro, te shpenzimet për karburante për vetura dhe për ngrohje gjithsej janë shpenzuar 315.310 euro.
Sipas saj, te pasqyra e shpenzimeve mjete buxhetore, te kategoria mallra dhe shërbime, programi buxhetor-Zyra e Kuvendit (Asamblesë), në emër të shpenzimeve të telekomunikimit (mbushje telefoni-vala) janë shpenzuar 2520 euro, nëse e llogarisim në formulë sipas pakos të ofruar nga kompania IPKO 6 mbushje në muaj për 35 këshilltar komunal sa ka Komuna e Suharekës, i bie 6x35=210 në muaj, ndërsa vjetorja 210x12=2520, mbushje telefoni që është ekuivalente me shumën e barabartë të paraqitur si shpenzim.
Por sipas Baraliut asnjëri nga këshilltarët komunal përveç kryesuesit të asamblesë nuk ka marrë këto mbushje dhe se nuk dihet destinomi i tyre se për kënd janë shpenzuar.
Më këtë mund të them se mungon papërgjegjësia, llogaridhënia dhe menaxhimi I kontrollit të brendshëm financiar, thotë Baraliu.
Sipas saj, te pasqyra e të hyrave vetjake dhe krahasimi I performancës sipas periudhave kontabël shihet se komuna të hyrat vetjake i ka realizuar në krahasim me planifikimin vjetor të buxhetit vetëm 69.52%, që do të thotë ky realizim është nën planin e të hyrave, por përmbushja dhe tejkalimi i planit të të hyrave vetjake të cilat janë realizuar jashtë planifikimit buxhetor është realizimi në emër të eksproprijimit (te hyrat nga shpronësimi i autostradës).
Po ashtu vlen te ceket se te pasqyra e te hyrave (jotatimore) që rrjedhin nga kategoritë e caktuara te lejet për legalizimin e objekteve kanë qenë të planifikuara 267.500 , por realizimi është 0 si për vitin 2012, ashtu edhe për vitin 2011, që do të thotë se qeveria komunale ka dështuar tërësisht ne përmbushjen e planit nga kjo kategori e të hyrës. Baraliu thotë se kryesuesi i Asamblesë Vesel Maliqaj asnjë herë nuk ka dhënë llogari për shpenzimet me telefoni.
Ndërkaq Vesel Maliqaj, kryesues i Asamblesë Komunale në Suharekë, thotë se nuk është e vërtet se ka keqpërdorur kartelat telefonike dhe mjetet për telefoa.
Unë e them me plot përgjegjësi se asnjëherë nuk e kam keqpërdorur pozitën time zyrtare dhe se nuk është e vërtet se kam shpërndarë kartela telefonike për familjarët e mi për tu ndaluar ato asambleistëve, thotë Maliqaj për gazetën Bota sot.
Ai njëherësh thotë se të drejtën për shfrytëzimin e karteleve telefonik e gëzon me ligj personalisht, kurse asambleistët nuk kanë të drejtë fare që të marrin kartela telefonike (rimbursim) nga Komuna, shkruan sot gazeta Bota sot
.