Kryesia kërkon urgjentisht shqyrtimin e Projekt-buxhetit
Prishtinë, 14 mars - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka takuar sot kryetarët e komisioneve parlamentare, me të cilët trajtoi çështje të organizimit dhe të funksionimit të këtyre trupave themelor të punës së legjislativit të vendit.
Kryeparlamentari Krasniqi i ka uruar kryetarët e komisioneve parlamentare për detyrën me rëndësi që kanë marrë, i ka këshilluar ata për hapat e shpejtë që duhen ndërmarrë për konstituimin e këtyre komisioneve, ndërkaq, ka sqaruar edhe për veprimet që duhen ndërmarrë për hartimin e planeve të punës së komisioneve.
Në bazë të këtyre planeve dhe të agjendës legjislative të Qeverisë së Kosovës, Administrata e Kuvendit përgatit Programin e punës së Kuvendit për vitin 2011, i cili, pastaj, miratohet në Kuvend, u ka thënë Krasniqi kryetarëve të komisioneve parlamentare.
Kreu i Kuvendit ka kërkuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa që të përgatitet në mënyrë urgjente për shqyrtimin e Projekt-buxhetit të Kosovës për vitin 2011, në mënyrë që të mos zvarritet financimi i shumë veprimtarive jetike në Kosovë.
Kryetarët e komisioneve janë zotuar se do të jenë në nivel të detyrës, për punët që i presin. Ata, ndërkaq, kanë kërkuar nga kryetari i Kuvendit, që komisioneve tu sigurohen stafi mbështetës, si: ekspertët e nevojshëm, asistentët e zyrave dhe pajisjet e nevojshme teknike.
Për faktin që e kemi pakësuar numrin e komisioneve parlamentare, janë shtuar mjetet për financimin e tyre, prandaj ka mundësi që të shtohet stafi mbështetës komisioneve, u ka thënë kryeparlamntari Krasniqi kryetarëve të komisioneve parlamentare të Kuvendit të Kosovës.