Kryeministri Thaçi viziton punimet në Kishnicë
Prishtine, 9 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Hidroekonomike Ibër Lepenci, Hajdar Beqa dhe kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellsit Prishtina, Gjelosh Vataj ka vizituar punimet që janë duke u kryer në Kishnicë në vendosjen e gypit furnizues për Liqenin e Badovcit nga kanali i Ibër Lepencit.
Pasi është njoftuar nga afër me dinamikën e punimeve që janë duke u kryer me qëllim të sigurimit të furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët e Prishtinës, Kryeministri Thaçi para mediave ka deklaruar:
Unë sot së bashku me kryeshefin e Ibër-Lepencit dhe atë të Ujësjellësit të Prishtinës, vizitova punimet që po bëhen në hapjen e kanalit apo renovimin e kanalit për furnizimin me ujë të Prishtinës përmes Liqenit të Badovcit.
Vlerësoj se me këtë kanal të ri, më këtë renovim do të plotësohen nevojat e qytetarëve të Prishtinës. Qeveria e Kosovës është duke bashkëpunuar shumë mirë edhe me Ibër-Lepencin edhe me Ujësjellësin e Prishtinës.
Do të vazhdojmë me mbështetjen e plotë, gjithçka që është e mundur, gjithçka që varet nga Qeveria e Kosovës, me të gjitha kapacitetet, edhe financiare, edhe teknike, edhe profesionale do jemi në mbështetje të këtyre projekteve, në mënyrë që të kemi furnizim të rregullt me ujë për kryeqytetin Prishtinën.
Nga ana e tij, Kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina, Gjelosh Vataj ka thënë:
Ne falënderojmë Qeverinë e Republikës së Kosovës, që në vazhdimësi ka qenë e interesuar dhe është e interesuar. Jemi në bashkëpunim të rregullt me Qeverinë në mënyrë që të sigurojmë ujë sa më mirë për qytetarët, kjo është një dëshmi e radhës.
Ndërsa, ne jemi edhe në investime tjera. Fabrika e ujit në Shkabaj do ta zgjedhë problemin e ujit, problemin e furnizimit me ujë për Prishtinën, do të kemi ujë 24 orë, gjithmonë me ndihmën e Qeverisë.
Ne sot ju garantojmë se uji brenda 10 ditësh do të mbërrijë në Liqenin e Badovcit.
Po ashtu edhe Hajdar Beqa, Kryeshef Ekzekutiv i Kompanisë Hidroekonomike Ibër Lepenci e ka vlerësuar lartë përkushtimin dhe mbështetjen e Kryeministrit Thaçi për të siguruar një furnizim stabil me ujë të pijshëm. Z.Beqa në vazhdim ka deklaruar:
Ibër-Lepenci ka kryer punën e vet nga Liqeni i Ujmanit. Vlenë të theksohet se ka ujë të mjaftueshëm për të furnizuar Liqenin e Badovcit, për të kaluar këtë fazë emergjente.
Në kemi bërë pastrimin e kanalit nga Mihaliqi deri në Besi dhe nga Besia deri në Graçan në Çagallavicë, ku është stacioni i fundit i fundit i Ibër-Lepencit.
E kemi pasur mbështetjen e vazhdueshme të Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe të Qeverisë dhe të komunave përkatëse.
Kemi bërë një bashkëpunim për pastrimin dhe parandalimin e derdhjes së ujërave të zeza në kanal, dhe jemi të gatshëm që brenda dy ditëve nëse kërkon Ujësjellësi i Prishtinës ta lëshojmë ujin të vjen në Liqenin e Badovcit.
Neve Kryeministri na falënderoi, si dhe na ka inkurajuar edhe gjatë këtyre ditëve për të gjitha shpenzimet shtesë apo çka të kemi obligime shtesë në këtë angazhim tonin. Për këtë e kemi përkrahjen e Qeverisë si aksionar dhe përkrahjen e Kryeministrit. Dhe, ju zotohem qytetarëve se brenda 10 ditësh do të furnizohet Liqeni i Badovcit nga Liqeni i Ujmanit.
Më lejoni të theksoj se gjendja në Liqenin e Ujmanit me ujë është më e mirë, krahasuar me të njejtën periudhë kohore të vitit të kaluar.
********
Në interesimin e medias lidhur me çështje politike, jashtë fokusit të vizitës së sotme në Kishnicë, kryeministri Thaçi iu përgjigj:
Ne sot jemi këtu për ti dhënë mbështetje të plotë që Liqeni i Badovcit të furnizohet me ujë. E furnizimi me ujë nuk përzihet më çështje politike. Është në interesin e gjithë qytetarëve, prandaj nuk dëshiroj që kësaj vizite ti japim konotacione politike. Sot mund të japë vetëm një datë që brenda 7 apo 10 dite, do të fillojë furnizimi me ujë, kjo është më e rëndësishmja për qytetarët e Prishtinës.