Kryeministri Thaçi vizitoi objektin në ndërtim të Pallatit të Drejtësisë
Prishtinë, 12 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ministri Mahir Yagcilar, si dhe autoritetet e drejtësisë, vizituan punimet në objektin e Pallatit të Drejtësisë.
Kryeministri Thaçi është shprehur i bindur se ndërtimi i këtij objekti do të ndihmojë në reformat në sistemin e drejtësisë.
Kam besim të plotë se me ndërtimin e objektit, me krijimin e kushteve shumë më të mira për të gjitha autoritetet e drejtësisë kosovare, do të vazhdojmë edhe me reformat në sistemin e drejtësisë.\"
\"Është fat që gjithë legjislacionin e nxjerrim në përputhshmëri me standardet evropiane, prandaj edhe objekti do të jetë i modelit evropian, dhe i standardeve evropiane. Kam besim të plotë se Kosova do të jetë shembull edhe në rajon theksoi kryeministri Thaçi.
Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar theksoi se objekti në fjalë do të ndihmojë fuqizimin e pavarësisë së drejtësisë, funksionimin e drejtësisë dhe në efektivitetin e drejtësisë.
Është projekti më i madh që Komisioni Evropian po bënë në Kosovë, në kuptimin e buxhetit. Jemi duke punuar në partneritet me Qeverinë e Kosovës. Kjo vërteton se sundimi i ligjit për ne është i rëndësishëm, dhe ne jemi të përfshirë jo vetëm me EULEX-in, dhe projektet tjera që lidhen me sundimin e ligjit, por po ashtu edhe në ndërtimin e infrastrukturës për sundimin e ligjit tha Zbogar.
Nga ana e tij, Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci falënderoi Qeverinë e Kosovës dhe Komisionin Evropian për plotësimin e kushteve për gjyqësorin. Ai premtoi se autoritetet e drejtësisë kosovare do të punojnë që të gjitha këto investime të kthehen në punë për të arritur deri tek një sistem gjyqësor të pavarur.
Kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, u shpreh i kënaqur sidomos me faktin që ky objekt do të mbledh të gjitha institucionet e drejtësisë në një vend.
Do të jemi në gjendje që të këmbejmë përvojat tona dhe të organizojmë shumë më mirë punën tonën ka theksuar Kabashi.
Pallati i Drejtësisë është investim i përbashkët i Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës. Kostoja e ndërtimit është rreth 30 milionë euro dhe pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.