Kryeministri Thaçi vizitoi Fabrikën e Tekstilit Kosovatex

Prishtinë, 8 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka vizituar sot Fabrikën e tekstilit Kosovatex në Prishtinë, ku është pritur në një takim nga menaxhmenti i kësaj fabrike.
Në takim, kryeministri Thaçi është njoftuar për punën dhe suksesin e arritur nga kjo fabrikë prodhuese e tekstilit dhe për planet e ardhshme të investimeve.
Pas takimit, kryeministri Thaçi, i shoqëruar nga drejtori i Grupit Ekolog për rajonin, pjesë e të cilit është edhe Kosovatex, z.Abdylmenaf Bexheti kanë vizituar repartet prodhuese të veshjeve dhe janë takuar me punëtorët e fabrikës.
Kryeministri Thaçi ka vlerësuar lartë punën e Kosovatex-it duke theksuar se është një kënaqësi e veçantë kur vizitoj një prej bizneseve më të suksesshme dhe më të fuqishme të Republikës së Kosovës, biznesin e familjes Destani, njerëzve të punës.
Me punën e tyre, familja Destani ka hapur rreth 500 vende të reja të punës në Republikën e Kosovës, 300 prej tyre këtu ku i shohim në Kosovatex, në fabrikën e prodhimit të xhinseve, ku rreth 80 për qind janë të punësuara femra, me rroga solide dhe të vlerësuara.
Në vazhdim, Kryeministri Thaçi ka shtuar se për mua si kryeministër i vendit, por edhe si Qeveri e Republikës së Kosovës, na mbetet të thellojmë edhe më tepër bashkëpunimin me komunitetit të biznesit.
\"Prandaj, edhe qëllimi i vizitës ishte që të bashkëbisedojmë, por në të njëjtën kohë të informohemi për punën që po bëhet, për mundësitë e reja të bashkëpunimit, tani në veçanti pas lansimit të projektit për punësim, të Fondit për Punësim prej 1 miliardë eurosh, nga i cili do të përfitojnë ndërmarrjet e vogla, të mesme, por edhe të mëdha - tha kryeministri Thaçi.
Në kuadër të angazhimeve për themelimin e Fondit për punësim dhe zhvillim, Kryeministri Thaçi ka potencuar se do të krijohen mundësitë edhe për hapjen e bizneseve të reja dhe kriter themelor për të përfituar nga Fondi i Punësimit do të jetë performanca dhe mundësia e krijimit të vendeve të reja të punës.
Qeveria e Kosovës do të punojë për krijimin e kushteve dhe klimës edhe më të mirë për biznesin kosovar, gjithashtu edhe për atë që vjen në Kosovë nga jashtë përmbylli deklarimin e tij kryeministri Hashim Thaçi.
Nga ana e tij, Grupit Ekolog për rajonin, pjesë e të cilit është edhe Kosovatex, z.Abdylmenaf Bexheti, në emër të investitorit, familjes Destani falënderoi kryeministrin Thaçi për mbështetjen institucionale dhe personale, duke theksuar se kjo fabrikë është edhe një investim me motive të gjenerimit të vendeve të punës, siç është edhe ky repart i prodhimit.
Ne kemi detyrim dhe do të vazhdojmë edhe më tutje me investime të tilla dhe mbështetja e kryeministrit Thaçi ka qenë e pa rezervë që nga momenti i privatizimit të kësaj fabrike deri në ndërtimin e sotëm, me një përkushtim që ta ndërtojmë klasën industriale të Republikës së Kosovës, ka theksuar z.Bexheti.