05 Maj 2024

Kryeministri Thaçi takon drejtues të BB dhe FMN-së

Washington, 19 korrik -  Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka filluar vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Në ditën e parë të vizitës, kryeministri Thaçi është pritur në Bankën Botërore nga Zëvendëspresidenti për Evropë dhe Azinë Qëndrore i Bankës Botërore, Philippe Le Houerou.

Ndërsa, në selinë e Fondit Monetar Ndërkombëtar, pasdite sipas kohës amerikane, kryeministri Hashim Thaçi do të zhvillojë takime edhe me drejtorin menaxhues të FMN-së, Dominique Strauss-Kahn dhe me drejtorin ekzekutiv, Arrigo Sadun.

Në takim është diskutuar për proceset e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, për rolin dhe mbështetjen e Bankës Botërore në zhvillimin e kapaciteteve ekonomike, që do të ndikojnë në forcimin e ekonomisë së Kosovës.

Me këtë rast, kryeministri Thaçi potencoi hapat që janë ndërmarrë nga qeveria në këtë drejtim, që ndërlidhen me koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës, ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, hidrocentralit të Zhurit, si dhe projektin e madh të ndërtimit të autostradës Vërmicë-Prishtinë-Merdarë.

Kryeministri Thaçi në takim me Zëvendëspresidenti e Bankës Botërore, Philippe Le Houerou vlerësoi lartë mbështetjen që Banka Botërore i ka dhënë dhe po i jep Republikës së Kosovës në kuadër të procesit shumë të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik, që është parakusht i domodoshëm për integrimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike.

Nga ana e tij, zëvendëspresidenti për Evropë dhe Azinë Qëndrore i Bankës Botërore, Philippe Le Houerou shprehu konsidetatat më të larta për kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për punën dhe përkushtimin që ka treguar Qeveria e Republikës së Kosovës në avancimin e proceseve zhvillimore në Kosovë.

Philippe Le Houerou theksoi se Banka Botërore do të vazhdojë të përkrahë në mënyrë të vazhdueshme Kosovën në kuadër të këtyre proceseve.

Po sot pasdite, sipas kohës amerikane, në selinë e Fondit Monetar Ndërkombëtar, kryeministri Hashim Thaçi do të zhvillojë takime me drejtorin menaxhues të FMN-së, Dominique Strauss-Kahn dhe me drejtorin ekzekutiv, Arrigo Sadun.

Në mbrëmje, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të zhvillojë një takim edhe me ambasadorin Morton Abramowitz.

Nesër kryeministri Thaçi do të zhvillojë takime në Departmentin e Shtetit, ndërsa në Institutin e Paqes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të mbajë ligjëratën me temën “Ndërtimi i së Ardhmes Euro-Atlantike të Kosovës: Sfidat dhe Mundësitë Para Nesh”.

Të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë në Washington, kryeministri Thaçi do të pritet nga zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Joseph Biden, ndërsa të enjten do të zhvillojë takime në Kongresin e SHBA-ve.
        

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)