29 Prill 2024

Kryeministri Thaçi premton rritje deri 26 për qind të pensioneve

Prishtinë, 30 dhjetor - Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e fundit për këtë vit ka përcjellë urimet më të mira për kabinetin e tij qeveritar për vitin e Ri 2012 .

Me këtë rast Thaçi tha se viti 2011 filloj me përmbylljen e procesit të zgjedhjeve të parakohshme, një proces ky që u stërzgjat në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

"Qeveria e themeluar në shkurt, e dalë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, definifivisht shënon hapin apo nxjerrjen e ekipit më kredibil qeveritar në historinë politike të Kosovës, një qeveri e përgjegjshme e gjeneratave dhe mentalitetit të ri, e orientimit të qartë perëndimor, qeveri e Kosovës evropiane e standardeve të larta ndërkombëtare, e veprimeve të përgjegjshme, përballimit të sfidave dhe reformave të thella demokratike", theksoi ai.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës sipas tij është qeveria e vetme në Evropë që ka arritur t’i rris pagat në nivelin që  kemi rritur për punëtorët kosovarë, për mësuesit - 50 për qind, për gjithë policët e Kosovës - 40, për punëtorët e shëndetësisë - 30 , për shërbyesit civilë - 30 , për pjesëtarët e FSK-së - 30, për të gjitha familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës - 50 , zjarrfikësve - 50 , ndërsa prokurorëve dhe gjykatësve u kemi rritur pagat deri në 120 për qind.
 
Ai serish ka premtuar se në fillim të vitit të ardhshëm, pra të vitit 2012, do të ketë rritje për të gjithë pensionistët deri 26 për qind.
 
Thaçi gjithashtu tha se janari i vitit 2012 do të jetë edhe zyrtarisht muaji i fillimit të dialogut zyrtar me BE-në.  

Ndërsa një kapitull jashtëzakonisht të rëndësishëm sipas tij ka qenë edhe vazhdimi i projekteve madhore që do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, në uljen e papunësisë, e në të njëjtën kohë edhe rritjen e mirëqenies sociale. 

"Kemi vazhduar pa ndërprerë në implementimin e projektit infrastrukturorë më të madh në historinë e Kosovës, atë të ndërtimit të autostradës Vërmicë - Merdare. Tanimë kemi inauguruar 38 kilometrat e parë, që është një autostradë e standardit më të lartë ndërkombëtare dhe mund të them e standardit më të lartë në rajonin tonë", pohoi Thaçi.

Edhe vitin e ardhshëm qeveria ka ndarë 300 milionë euro për ndërtimin e autostradës dhe në qershorin e vitit të ardhshëm do të përmbyllet deri në Bllacë, ndërsa më 27 nëntor, do të përmbyllet deri në magjistralen Prishtinë-Pejë.

Ai ka theksuar se siç e ka planifikuar qeveria në pjesën e dytë të vitit do të fillojë ndërtimi i autostradës tjetër, asaj Prishtinë-Ferizaj-Kaçanik-Han i Elezit- Shkup. 

Thaçi tregoi se qeveria ka filluar të punoj për projektin afatmesëm infrastrukturor të munguar por të domosdoshëm, atë të ndërtimit të unazës autostradë të Republikës së Kosovës, që do të përfshijë gjithë territorin.

"Është një projekt ambicioz, por jam i sigurt i realizueshëm. Ky projekt i ndërtimit të autostradës unazë do të filloj me përmbylljen e autostradës në Merdare, përgjatë Vushtrrisë, gjithashtu Mitrovicës, Klinë e Epërme,  Runikë, Istog, Gurrakoc, Pejë Deçanë."

Ai tha se nga Deçani siç qeveria ka ndarë mjetet për ndërtimin e magjistrales për Plavë e Gusi, për të vazhduar nga Deçani për në Gjakovë, Xërxë, Prizren, Prevallë.

Ai gjithashtu tha se qeveria ka projektin për procesin e privatizimin e qendrës së skive në Brezovicë, ku përfshihet ndërtimi i qendrës së skijimit më modern në Republikën e Kosovës por edhe në rajon, e ku përfshihet investimi i 100 milionë eurove, dhe përfituesit më të mëdhenj do të jenë vetë komuniteti lokal dhe Kosova.

"Nga aty do të punohet për hapjen e tunelit për në pjesën e Pollogut, mes Tetovës dhe Gostivarit, pastaj për të vazhduar për Shtërpcë, do të kaloj përgjatë magjistrales Prishtinë- Shkup, Pozharan, Viti, Gjilan, e aty do të përcaktohemi për drejtimin e Bujanocit apo Preshevës, ndërsa nga Gjilani në drejtim të Kamenicës dhe fshatrave përreth Gollakut, për t’i lidhur përsëri aty ku edhe filloj, me autostradën e Merdarës", theksoi Thaçi.

Kryeministri serish e ritheksoj se viti 2011 ishte viti i Kosovës evropiane, ndërsa viti 2012 do të jetë viti i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, dhe fillimi i funksionimit të pavarësisë së plotë. 
 
 
  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)