Kryeministri Mustafa theksoi përkrahjen e Qeverisë për bizneset e Shtimes
Shtime, 19 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar Komunën e Shtimes, ku ka takuar drejtuesit e pushtetit lokal si dhe disa biznese të suksesshme që operojnë në këtë komunë.
Kryeministri Mustafa ka vizituar qendrën kopshtare Agrocoop, si dhe Ndërmarrjen Prodhuese Etlinger dhe Kompaninë për Grumbullim, Shitje dhe Distribuim të Frutave dhe Perimeve Doni, të cilat ndodhen në Zonën e Biznesit Parku Teknologjik.
Pas takimit me kryetarin e Komunës, Naim Ismajli dhe përfaqësuesit e tjerë komunalë, kryeministri Mustafa tha se ekziston një bashkërenditje shumë e mirë e aktiviteteve.
Kjo ka krijuar kushte që të mos kemi dallime sa i përket pikëpamjeve të një pushteti dhe tjetri, qoftë në ndarjen e buxhetit, qoftë në prioritete, por qoftë edhe në perspektiven e zhvillimit ekonomik dhe të zhvillimit social i cili kryesisht ndodh në komuna, por për të cilin ka përgjegjësi edhe pushteti qendror dhe pushteti lokal, ka thënë kryeministri.
Kryeministri Mustafa, më tej tha se me kryetarin Ismajli ka biseduar edhe në cilësinë e kryetarit të Asociacionit të Komunave, me theks të veçantë për reformat që duhet të ndërmerren në administratën publike.
Por edhe reformat e tjera të cilat do të krijonin kushte më të mira për komunat në pikëpamje të zhvillimit ekonomik, e që kryesisht kanë të bëjnë me pronat, me mënyrën e dhënies së pronave publike në shfrytëzim dhe kanë të bëjnë me menaxhimin e pronave urbane dhe menaxhimin e pyjeve për të cilat ne kemi biseduar me të gjithë kryetarët, por do të vazhdojmë të bisedojmë edhe më tutje, tha kryeministri.
Kryeministri Mustafa po ashtu, ka përgëzuar kryetarin për punët e mira që janë bërë në Komunën e Shtimes në shumë fusha.
Në fushën e arsimit, shëndetësisë kemi një situatë mjaft të konsoliduar. Në infrastrukturë po ashtu. Komuna ka ardhur në situatë tash që të dijë konkretisht se çfarë ka mbetur prej atyre çështjeve. Janë disa burime që po krijojnë kriza të veçanta gjatë reshjeve, e sidomos rregullimi i shtratit të lumit dhe të disa kanaleve tjera, për të cilat Qeveria duhet të ndërmarrë hapa, edhe tani me rishikimin e buxhetit dhe me ndarje të mjeteve të veçanta. Po ashtu, ka nevojë të rishikohet ndarja e buxhetit për investime kapitale, por edhe pjesëmarrja e Asociacionit dhe kryetarëve të komunave në hartimin e Ligjit të financave lokale, i cili do të kishte kritere më të qarta sa i përket trajtimit të barabartë të të gjitha komunave me rastin e ndarjes së buxhetit, është shprehur kryeministri.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, duke falënderuar kryeministrin Mustafa për vizitën, e ka informuar për realizimin e projekteve.
Diskutuam për shumë çështje që kanë të bëjnë me infrastrukturën, me mundësinë e zhvillimit ekonomik, si një çështje e cila duhet të adresohet dhe u pajtuam se ne do vazhdojmë me agjendën tonë, me planet tona strategjike komunale dhe bashkërisht do të gjejmë metodat dhe mënyrat se si edhe ato ligje të cilat mund të jenë eventualisht pengesë për zhvillimin e biznesit, ti procedojmë në institucionin e Kuvendit, me qëllim që ti harmonizojmë dhe ti bëjmë më të aplikueshme për ne si pushtete lokale, tha kryetari.
Ismajli tha po ashtu se kryeministrin Mustafa e ka njoftuar edhe për investimet në infrastrukturë, por edhe për nevojën për krijimin e kushteve më të mira për zhvillim ekonomik.
Komuna e Shtimes ka pasur investime në infrastrukturë. Shumicën e vendbanimeve i kemi lidhur me rrugë, mirëpo janë edhe disa nga projektet që bashkërisht me kryeministrin diskutuam që kanë nevojë, dhe këto investime do të fokusohen kryesisht në krijimin e kushteve më të mira për zhvillim ekonomik në zonën e biznesit, projekte të cilat do të mbrojnë tokat bujqësore, sepse vërshimet e fundit që kanë ndodhur kanë atakuar edhe komunën tonë. Ajo që është imediate është revitalizimi i shtratit të lumit, për të cilën diskutuam për të gjetur mënyrën e financimit, tha kryetari Ismajli.
Gjatë vizitave në qendrën kopshtare Agrocoop, në Ndërmarrjen Prodhuese Etlinger dhe Kompaninë për Grumbullim, Shitje dhe Distribuim të Frutave dhe Perimeve Doni, kryeministri Mustafa ka vlerësuar rezultatet e larta të arritura nga këto kompani duke ofruar mbështetjen e mëtejshme të Qeverisë.
Gjatë këtij muaji ne do ta themelojmë Fondin për Garantim të Kredive, përmes së cilit mund të përfitojnë të gjitha bizneset private sa i përket garantimit të një pjesë të kredisë, përkatësisht të kolateralit për të cilin hyjnë në borxh bizneset. Do të kemi tani edhe Ligjin për Investime Strategjike i cili do tiu mundësoj edhe komunave, edhe bizneseve të caktuara edhe partnerëve të tyre që më lehtë të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. Do ti testojmë në mënyrë të vazhdueshme politikat fiskale dhe politikat ekonomike me përfaqësues të bizneseve, tha kryeministri Mustafa.
Duke iu referuar vizitave nëpër biznese të ndryshme, kryeministri Mustafa tha se po bisedohet me pronarët e tyre se çfarë duhet të bëj Qeveria në mënyrë që ata të kenë kushte më të mira të biznesit në krahasim me regjionin.
Mund të themi se nuk jemi keq, do të thotë në disa aspekte jemi më mirë se sa vendet në regjion, por për ta rritur konkurrencën ne duhet të jemi edhe më mirë se sa që jemi, tha kryeministri Mustafa.