02 Nëntor 2024

Kryeministri Kurti prezanton Pakon Emergjente

Prishtinë, 14 prill - Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi kanë mbajtur konferencë për medie, në të cilën kanë prezantuar masat e parapara në Pakon Fiskale Emergjente të hartuar nga Ministria  Financave dhe Transfereve dhe të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Kurti, duke prezantuar 15 masat e Pakos Fiskale Emergjente, theksoi se kjo pako është dizajnuar për të arritur disa qëllime; (i) të ofrojë ndihmë financiare shtesë për shtresat më të varfra të shoqërisë pas pandemisë COVID-19; (ii) të ndihmojë bizneset në mbulimin e shpenzimeve operative në mënyrë që të sigurohet një pagë minimale për të gjithë punëtorët gjatë situatës emergjente, si dhe (iii) të sigurohet se bizneset kanë mundësi të vazhdojnë veprimtarinë gjatë dhe pas tejkalimit të situatës emergjente.

Po ashtu, kryeministri në detyrë Kurti shprehu bindjen që krahas kujdesit për shëndetin publik, Qeveria në detyrë nëpërmjet kësaj pakoje fiskale emergjente po kujdes edhe për shëndetin e ekonomisë, e cila më pastaj pasohet nga pakoja për rimëkëmbjen ekonomike.

Kurti tha se kjo qeveri në detyrë ka vendosur për një pako fiskale emergjente që është dizajnuar për të arritur disa qëllime, ndihmë financiare për shtresat më të varfëri të shoqërisë, së dyti të ndihmojë bizneset, të stimulohet rritja e aktivitetit ekonomik, punonjësit e sektorëve esencial që janë të ekspozuar më së shumti, të stimulohet punësimi dhe formalizmi në sektorin privat.

Sipas tij, kjo pako ka si qëllim politikat afatgjatë për të stimuluar rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Së pari, të ofrojë ndihmë financiare për shtresat më të varfra gjatë pandemisë COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi]. Së dyti, të ndihmojë bizneset në mbulimin e shpenzimeve operative, në mënyrë që edhe të sigurohet një pagë minimale për të gjithë punëtorët gjatë situatës emergjente, por edhe të sigurohet që bizneset kanë mundësi që të vazhdojnë veprimtarinë gjatë dhe pas tejkalimit të situatës emergjente. Së treti, të ofrojmë likuiditet shtesë për bizneset, në mënyrë që të stimulohet rritja e aktivitetit ekonomik. Së katërti, të stimulohen punëtorët e sektorëve esencialë gjatë gjendjes së emergjencës, të cilët janë të ekspozuar më së shumti ndaj rrezikut të infektimit dhe, së pesti, të stimulohet punësimi dhe formalizmi në sektorin privat”.

Aktualisht, sipas Kurtit, Pakoja Emergjente është e nevojshme, pasi Kosova është në një situatë emergjente shëndetësore.

Pas kalimit të pandemisë, shtoi ai, do të krijohet një pako e re që do të ketë ndikim në rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Kjo pako nuk ka si qëllim politikat afatgjate për të stimuluar rimëkëmbjen e ekonomisë. Për këtë do të bëhet një analizë, një studim më i thellë. Do të hartohet një pako e dytë, e cila do t'i adresojë nevojat afatgjate të sektorit privat”, tha Kurti.

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, tha se në këtë fazë është e palogjikshme që të krijohet pako afatgjate, sepse nuk dihet dëmi ekonomik që do të shkaktohet nga pandemia.

“Ne jemi munduar që një pjesë të mirë të pakos ta mbështesim me ndihmë financiare nga jashtë dhe kemi kërkuar kredi nga të gjitha institucionet relevante financiare, duke filluar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Evropaine për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Gjermane për Zhvillim, Bashkimi Evropian, Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës, donatorët bilateralë dhe të gjithë na kanë premtuar kredi dhe ndihma me norma të ulëta të interesit”, tha Bislimi.

Kurti dhe Bislmi e quajtën të kotë mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, me qëllim të miratimit të masave konkrete ekonomike e financiare për adresimin e pasojave të pandemisë së koronavirusit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)