Kryeministri Kurti fton bizneset private të investojnë në Kosovë
Cyrih, 16 janar - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti po qëndron në Zvicër. Në ditën e tij të parë, ai, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Shefin e Stafit, Luan Dalipi, Këshilltarin Politik për Teknologji të Informacionit, Lulëzon Jagxhiu dhe Këshilltaren politike të ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Gearda Demiraj ishin folës në Samitin e Investitorëve në Cyrih (Zürich), të organizuar nga Qeveria e Kosovës.
Para më shumë se 60 ndërmarrësve dhe drejtueseve të kompanive të ndryshme, në fushën e infrastrukturës, mjedisit, energjisë, prodhimit dhe teknologjisë së informacionit, Kryeministri Kurti dhe delegacioni qeveritar prezantuan mundësitë që Kosova ofron për investitorë dhe investime të huaja.
Të pranishmit u njoftuan për përparimin në fushën e sundimit të ligjit dhe për stabilitetin institucional, për politika fiskale të zbatuara në vend, planet investive të Qeverisë dhe karakteristika e fuqisë punëtore në Kosovë.
Marrë parasysh ndryshimet pozitive në dy vitet e fundit dhe kushtet e favorshme që ofrohen, Kryeministri Kurti ftoi bizneset zvicerane që të investojnë në Kosovë.
Pas prezantimeve hyrëse, kryeministri Kurti së bashku me këshilltarin e tij për Teknologji të Informacionit, Lulëzon Jagxhiu, po ashtu ishin pjesë e panelit të diskutimit në të cilin u trajtuan më detajisht specifikat dhe përparësitë e të bërit biznes në Kosovë.