Kryeministri Kurti bisedon për zhvillimin ekonomik me Odën Amerikane
Prishtinë, 17 tetor - Fuqizimi i sektorit privat, promovimi i potencialeve për investime dhe i eksporteve të Kosovës, por edhe avancimi i dialogut publiko-privat ishin në thelb të diskutimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, me lidershipin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Në takim me Bordin e Guvernatorëve të Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti theksoi rolin e rëndësishëm që ka sektori privat edhe në krijim të vendeve të punës por edhe në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik.
Ai lavdëroi sektorin privat për qëndrueshmërinë përgjatë viteve pavarësisht konkurrencës së madhe rajonale e globale, por edhe mungesës së përkrahjes së shtetit në të kaluarën.
Ai tha se fokusi i ardhshëm duhet të jetë në fuqizimin e diplomacisë ekonomike por edhe kapaciteteve institucionale për promovim të investimeve të huaja.
Kryeministri shprehu qartazi vullnetin e tij të mirë për dialogim të mirëfilltë me sektorin privat në Kosovë, për të mundësuar, mes tjerash një mjedis për zhvillim të qëndrueshëm dhe të hovshëm ekonomik.
Presidentja e Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane Afrore Rudi ofroi partneritetin e sinqertë të Odës Amerikane për ofrim të rekomandimeve për sfidat me të cilat ballafaqohet sektori privat.
Ajo sqaroi se Oda Amerikane i organizon përpjekjet e saj avokuese përmes të gjashtëmbëdhjetë komiteteve që funksionojnë në kuadër të Odës Amerikane ku gërshetohet edhe ekspertiza e industrive të ndryshme që përfaqësohen në Odën Amerikane.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka prezantoi prioritetet e reja avokuese të organizatës, duke përfshirë kërkesën për një mekanizëm të centralizuar për dialogim publiko-privat që do të funksiononte në kuadër të zyrës së kryeministrit, e përmes të cilit odat ekonomike do të mund të adresonin shqetësimet e ndërmarrjeve të sektorit privat.
Oda Amerikane propozon edhe strukturimin e Agjencisë për Promovim të Investimeve dhe Ndërmarrjeve të Kosovës ose ndonjë trupi tjetër të ri për promovim të investimeve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, e cila do të shërbente edhe si portë e vetme për komunikim me investitorët. Zeka në fund tha se Oda Amerikane do të ofrojë përkrahjen e saj për fuqizimin e kapaciteteve të diplomacisë ekonomike të Kosovës.
Në takimin në të cilin morën pjesë edhe Luan Dalipi, Shef i Stafit të Kryeministrit, si dhe Lulëzon Jagxhiu, Këshilltar për Teknologji të Informacionit, anëtarët e Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane dhanë edhe rekomandime të tjera për aspekte specifike të të bërit biznes në Kosovë.