Kryeministri Hoti diskuton me bizneset e OEK dhe OEAK për rimëkëmbjen ekonomike
Prishtinë, 4 korrik - Me qëllim të diskutimit të shqetësimeve dhe propozimeve konkrete të sektorit privat pas shpërthimit të pandemisë COVID19, Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti, së bashku me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi dhe drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka organizuan një konferencë virtuale me ndërmarrje të madhësive dhe sektorëve të ndryshëm që operojnë në Kosovë.
Kryeministri Avdullah Hoti tha se Qeveria po pret kalimin e rishikimin të buxhetit nga Kuvendi dhe vazhdimin e zbatimit të masave nga pakoja emergjente fiskale, si dhe fillimin e nisjes së zbatimit të masave nga pakoja e rimëkëmbjes i cili tash është pjesë e programit qeverisës.
“Në parim jemi dakorduar të kemi një pako të rimëkëmbjes ekonomike e cila ndihmon bizneset dhe familjet në masën në të cilën janë prekur nga pandemia.
Vlerësimet e Bankës Qendrore dhe të FMN-së janë për një rënie prej 5% prej fillimit të pandemisë,” tha Kryeministri Hoti, duke shtuar se fondi për rimëkëmbje ekonomike është rreth 400 milionë euro që është e përafërt me rënien ekonomike.
Ai tha se do të mbështesim bankat komerciale që të ruajnë normat e interesit që janë ofruar para shpërthimit të pandemisë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi tha se odat ekonomike kanë qenë në kontakt me Kryeministrin, Qeverinë për të ngritur shqetësimet e sektorit privat dhe rekomandimin e veprimeve që do të mundësonin zbatonin e masave të pakos së rimëkëmbjes.
Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka sqaroi se të dy odat ekonomike kanë bashkërenduar propozimet me Bankën Qendrore për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë COVID19, të cilat i janë prezantuar Qeverisë dhe ministrive përkatëse.
Përfaqësuesit e bizneseve të cilat morën pjesë në këtë konferencë virtuale nga sektorë të ndryshëm si prodhim ushqimi e veshmbathje, tregti të ushqimit, medie, gastronomi, tregti të karburanteve, sigurime fizike, adresuan shqetësimet e tyre të cilat kryesisht kishin të bënin me rënien e konsumit dhe likuiditetin e vështirësuar, qasjen në financa dhe mbështetjen në eksport.