Kryeministri Haradinaj: Duhet të jemi vetvetja edhe në ekonomi
Ferizaj, 26 korrik - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në hapjen e panairit të prodhimeve vendore ushqimore, të organizuar nga Market Plus Center, Ferizaj.
Kryeministri Haradinaj duke shprehur respekt për punën që po bëhet në Komunën e Ferizajt, tha se shumë gjatë e kemi ngrënë produktin e të tjerëve, qoftë politik, qoftë atë të sigurisë, qoftë ekonomik dhe shumë rrallë e shkurt na ka rënë hise me qenë vetvetja, me ngrënë vetë produktin tonë.
“Ju, po jepni një shembull, se kur nisesh nga vetja, është e mundshme dhe ju përgëzoj për këtë porosi që jepni prodhuesve, konsumatorëve, politikanëve, vendimmarrësve dhe gjithë të tjerëve”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se duke mos qenë vetja në administrim, qeverisje dhe vendimmarrje, do të jemi të sfiduar.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se u është dhënë dhe do tu jepet në vazhdimësi përkrahje bizneseve vendore dhe në këtë mënyrë do të ketë një ekonomi më ndryshe, një qytetar me shëndet ndryshe dhe se përkrahja e prodhimeve vendore është siguria e shëndetit të qytetarëve.
Pronari i Market Plus Center, Sylejman Neziri, tha se me promovimin e produkteve vendore e ruajmë traditën e sofrës shqiptare.
Të pranishëm në këtë panair ishin përfaqësues të tjerë institucionalë, prodhues vendor dhe qytetarë të shumtë dhe përfaqësues të shumë bizneseve nga Shqipëria, të cilët i prezantuan poashtu prodhimet e tyre.
Më pas, kryeministri Haradinaj, vizitoi prodhimet vendore ushqimore dhe joushqimore të prezantuara në këtë panair dhe në një prononcim para mediave, tha se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për t'i dhënë përparësi zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, duke stimuluar prodhimin vendor.
“Shpresoj që vetëdija do të forcohet gradualisht që ne të jemi vetvetja. Ekonomitë bashkëpunojnë e shkëmbejnë, por, për të bashkëpunuar, duhet të jesh edhe ti ekonomi, pra edhe ne të jemi ekonomi e zhvilluar”, tha kryeministri Haradinaj