Kroacia mbështet projektet ekonomike në Kosovë
Prishtinë, 22 nëntor - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka pritur sot në një takim Ambasadorin e Kroacisë në Kosovë, Zoran Vodopija me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin bilateral ekonomik mes dy vendeve me theks të veçantë në sektorët që mbulon MZHE.
Me këtë rast, ministri Ismajli dhe diplomati kroat kanë diskutuar për sektorët e energjisë, minierave, ujërave, etj, me çrast ka marrë mbështetjen e Ambasadës së Kroacisë për të përkrahur çdo iniciativë dhe projekt të përbashkët në këto fusha.
Gjithashtu një vend i posaçëm gjatë takimit i është kushtuar edhe shkëmbimit të eksperiencave sa i përket termocentraleve, hidrocentraleve të vogla, bashkëpunimit të ndërsjellë në projekte të telekomunikacionit dhe digjitalizimit.
Të dy bashkëbiseduesit kanë ritheksuar marrëdhëniet e mira politike dhe ekonomike mes dy vendeve me synim të avancimit të tyre, e veçanërisht në fushën e ekonomisë në interes të dy palëve, për çka edhe ekziston vullneti i dy qeverive respektive.