Kroacia ka gatishmëri për t’i mbështetur projektet ekonomike të Kosovës
Prishtinë, 20 mars - Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), Rozeta Hajdari, takoi ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić, ku kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në mes të dy vendeve.
Ministrja Hajdari dhe ambasadorja Barišić diskutuan, me theks të veçantë, për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë ekonomik, si dhe për mundësitë e shfrytëzimit të korridoreve të reja transportuese të mallrave në mes Kosovës dhe Kroacisë.
Ambasadorja kroate Barišić theksoi se Kroacia dhe Kosova kanë marrëdhënie të mira, duke rikonfrmuar se Kroacia ka gatishmërinë për t’i mbështetur projektet ekonomike të Kosovës dhe për të bashkëpunuar në fushat me interes të përbashkët, sidomos në rritjen e shkëmbimeve tregtare në mes të dy shteteve.
Ministrja Hajdari, përveç që e njoftoi ambasadoren për ngjarjet aktuale dhe për masat e marra nga institucionet e Kosovës për shkak të gjendjes së virusit COVID-19, ajo e theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të Kosovës me Kroacinë, në të gjitha fushat, e veçanërisht në ekonomi, investime dhe shkëmbime tregtare.
Po ashtu, ministrja Hajdari e informoi ambasadoren edhe për gjendjen e ekonomisë së Kosovës dhe programin e ri qeverisës, ku parashihet përmirësimi dhe zhvillimi i ekonomisë së vendit në përgjithësi.