Kroacia e gatshme të thellojë bashkëpunimin me Kosovën
Zagreb, 6 qershor - Qeveria kroate ka shprehur gatishmërinë e saj për thellimin e Bashkëpunimit me Republikën e Kosovës.
Kjo është bërë e ditur gjatë takimit që ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka zhvilluar sot në Zagreb me Zëvendëskryeministrin e parë të Republikës së Kroacisë, Radimir Çaçiq.
Me këtë rast, numri dy i Qeverisë kroate ka premtuar angazhimin e tij personal për avancimin e bashkëpunimit bilateral Kosovë-Kroaci, me theks të veçantë në fushën e ekonomisë në funksion të zhvillimit ekonomik të të dyja vendeve.
Nga ana e tij ministri Beqaj e ka vlerësuar bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve të një rëndësie të veçantë për faktin se Kroacia që nga viti i ardhshëm do të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian.
Kreu i MZHE-së ka vënë në dukje se fushat në të cilat bashkëpunimi me Kroacinë mund thellohej edhe më tej janë fushat si energjia, telekomunikacioni, ndërtimi i kapaciteteve institucionale dhe marrjen e përvojës kroate në raport me BE-në.
Në këtë takim ministri Beqaj dhe zv.kryeministri Çaçiq kanë diskutuar edhe për marrëveshjen Kornizë që pritet të nënshkruhet nga qeveritë e dy vendeve, e cila do ti japë një shtytje marrëdhënieve ekonomike dhe politike mes Kosovës dhe Kroacisë.
Ndryshe, ministri Beqaj në kuadër të vizitës së tij në Kroaci ka marrë pjesë edhe në takimet e veçanta që delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga presidentja Atifete Jahjaga ka zhvilluar me presidentin kroat Ivo Josipoviq, kryeministrin Zoran Milanoviç dhe kryetarin e kuvendit Boris Shrema, si dhe takimet me komunitetin shqiptar në Kroaci.