Kriza qeveritare në Bullgari prek edhe sektorin bankar
Sofje, 1 korrik - Më 6 gusht do të shpërndahet parlamenti në Bullgari, zgjedhjet e parakohshme janë parashikuar për më 5 tetor.
Kriza politike po shoqërohet edhe nga një krizë bankare, që politikanët po përpiqen ta zbusin tani.
Qeveria e minoritetit e Plamen Oresharskit, e cila përbëhet nga Partia Socialiste BSP dhe Partia e minoritetit turkfolës DPS, pas shuplakës që morën socialistët në zgjedhjet evropiane në maj është tepër e dëmtuar.
Pas dorëheqjes së kabinetit që pritet brenda muajit të ardhshëm, parlamenti do të shpërbëhet dhe më 5 tetor do të mbahen zgjedhje të reja.
Studiuesit e opinionit presin një fitore të qartë të partisë GERB të ish-kryeministrit Boiko Borisov.
Në këtë sfond politik në Bullgari është përfshirë nga problemet edhe sistemi bankar. Pasi në mes të qershorit u ndodh nën presion banka e katërt për nga madhësia në vend, KTB e cila u vendos përkohësisht nën kontroll shtetëror, aktualisht lëkundet edhe banka e tretë për nga madhësia, PIB (First Investment Bank).
Investuesit e vegjël po tërheqin në panik kursimet e tyre, edhe investuesit e mëdhenj dhe firmat shtetërore po përpiqen t\'i sigurojnë investimet e tyre. Vetëm më 28 qershor, bankës PIB iu desh t\'u kthente investuesve 400 milionë euro, një shumë tepër e madhe për kushtet e Bullgarisë.
Shkaqet për këtë zhvillim në radhë të parë nuk duhen kërkuar në politikën e keqe financiare.
Vëzhguesi politik Kantscho Stoitschev e shpjegon kështu situatën: \"Sistemi stabil dhe i furnizuar shkëlqyeshëm me kapital i bankave bullgare u bë viktimë e makinacioneve të errëta politike, të cilat lidhen me interesa ekonomike.\"
Me këtë kihet parasysh roli i politikanit 33 vjeçar të DPS, Delian Peevski, i cili u zgjodh pak kohë më parë deputet i Parlamentit Evropian.
Peevski, i cili së bashku me të ëmën, Iren Krasteva kishte një rol mbizotërues në sistemin mediatik bullgar, u emërua para një viti nga qeveria Oresharski shef i shërbimeve të fshehta.
Por meqenëse ai konsiderohet \"oligark\" për shkak të bizneseve të tij jotransparente, emërimi i tij shkaktoi protesta masive. Në fund ai nuk e mori postin dhe pak muaj më vonë u grind me mentorin e tij, shefin e KTB-së, Zvetan Vassilev.
Në fillim të qershorit të dy e mbuluan njëri-tjetrin me akuza për gjoja kërcënime me vdekje.
Skandali e destabilizoi KTB-në dhe kërcënon të gjithë sistemin bankar bullgar. Bullgaria është vërtet anëtare e BE, por nuk bën pjesë në eurozonë. Operacionet financiare kontrollohen nga një i ashtuquajtur Këshill monetar (Currency Board) , i cili vëzhgon në mënyrë të rreptë shpenzimet shtetërore dhe stabilitetin e monedhës.
Eksperti financiar amerikan, Steve Hanke, i cili konsiderohet \"babai\" i këshillit monetar, deklaroi së fundi në një intervistë televizive se stabiliteti financiar i vendit nuk është i kërcënuar, sepse Këshilli monetar garanton një kontroll të besueshëm.