Kriza politike rrezikon sektorin bankar
Albulena S. MAVRAJ
Prishtinë, 29 tetor - Ngërçi politik është duke ndikuar drejtpërdrejt negativisht në sektorin bankar ashtu sikurse në çdo sektor tjetër. Nëse nuk do të ketë zgjedhje të krizës politike deri në fund të vitit, atëherë mund të rrezikohen objektivat e parapara për uljen e normave të interesit për kredi.
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës (SHBK), Petrit Balija, ka thënë se nëse kriza politike do të vazhdojë deri në fund të vitit, atëherë kjo do të rezultojë me ndikime të drejtpërdrejta negative në zhvillimin e sektorit bankar. Nëse situata e këtillë vazhdon deri në fund të vitit, kjo do të rezultojë me ndikime të drejtpërdrejta negative në zhvillimin e sektorit bankar dhe shumë sektorë të tjerë dhe do të ketë një kosto reale që nuk do të mund të rikuperohet, është shprehur Balija.
Ai ka thënë se sikurse në sektorët e tjerë, edhe në sektorin bankar ngërçi politik ka ndikuar në mënyrë negative.
Si sektorët e tjerë, edhe sektori bankar është ndikuar negativisht nga gjendja e krijuar politike, pasi ka ngecje në masat e nevojshme për ta përmirësuar mjedisin e të bërit biznes në Kosovë, ka thënë Balija. Sipas tij, ka shumë reforma të cilat duhet të ndërmerren nga ministritë dhe agjencitë e ndryshme, por ka edhe të tilla që kërkojnë miratim në Kuvendin e Kosovës.
Ka raste kur këshillave dhe bordeve të caktuara u ka skaduar mandati dhe ne nuk mund ti adresojmë kërkesat tona në këto instanca deri në formimin e institucioneve e që, në disa raste, mund të bartin konsekuenca të mëdha, ka deklaruar Balija për gazetën Epoka e re. Ai ka shtuar se të gjitha këto vonesa janë shumë negative, kur kemi parasysh dinamikën e zhvillimeve në sektorin bankar.
Në qoftë se ngërçi politik do të vazhdojë deri në fund të vitit, sipas tij, atëherë situata e tillë do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë negativ në sektorin bankar. Nëse situata e këtillë vazhdon deri në fund të vitit, kjo do të rezultojë me ndikime të drejtpërdrejta negative në zhvillimin e sektorit bankar dhe shumë sektorë të tjerë dhe do të ketë një kosto reale që nuk do të mund të rikuperohet, është shprehur Balija.
I pyetur nëse do të ketë ulje të normave të interesit për kredi në vitin e ardhshëm, Balija është përgjigjur: Unë kam thënë se nëse vazhdon trendi i viteve të fundit i rënies së normave të interesit, ne sigurisht se në vitin e ardhshëm do të jemi në norma njëshifrore të interesit për kredi, por shpresoj se reformat e nevojshme do të vazhdojnë të ndodhin në mënyrë që kjo të realizohet deri në vitin e ardhshëm. Por, nëse kemi ngecje të reformave dhe zhvillimit ekonomik siç po shkakton kriza politike në vend, atëherë mund të rrezikohen këto objektiva dhe mund të mos i shohim rezultatet e dëshiruara.