02 Maj 2024

Kriza japoneze mbërrin tek firmat gjermane

Berlin, 7 prill - Tri javë pas tërmetit në Japoni, sipërmarrjet gjermane po bëhen nervoze. Kryesisht ato, të cilat varen nga eksportet japoneze.

Në Japoni shumë linja prodhimi janë ndalur dhe gjithnjë e më shumë porosi nuk plotësohen.

Opeli në Ryselshajm të Gjermanisë u detyrua të pezullonte prodhimin e modelit Corsa në fabrikën në Eizenah, pasi furnitori i tij japonez nuk mund të livronte porosinë.

Për prodhimin e Corsës mungonte një pjesë e rëndësishme elektronike për komandimin e motorit.

Ky ishte sinjali i parë për atë që mund të përjetonte pas pak javësh e gjithë industria gjermane e prodhimit të automobilëve.

Sipas vlerësimeve të institutit IHS Automotive për studime tregu, në vitin 2010 një e treta e të gjitha çipeve për industrinë e automobilëve në të gjithë botën ka ardhur nga Japonia.

"Shumë pjesë këmbimi nga Japonia janë ende rrugës së transportimit detar apo në magazina. "Por ngadalë situata po vështirësohet", thotë Stefan Bratzel nga Shkolla e Lartë profesionale për Ekonomi në Bergisch Gladbah pranë Këlnit.

Ai llogarit që pas dy deri tri javësh të ketë më shumë mungesa në furnizime për industrinë gjermane të automobilëve.

Firma si Daimler, Volkswagen apo BMW prodhojnë ende si më parë, por përpiqen të mbështeten tek furnitorë jashtë Japonisë. Kjo është e mundur për komponentë standard, thotë Bratzel.

Megjithatë numri i tyre në makina është i vogël. Edhe nëse një prodhues automjetesh i blen pjesët nga dy furnitorë të ndryshëm, nuk mund të përjashtohen mungesat.

Prodhuesit e pjesëve për automjete nuk mund të rrisin menjëherë prodhimin për të plotësuar mungesat nga Japonia, pasi aktualisht ata punojnë me kapacitet të plotë.

Por jo vetëm industria e automjeteve sheh me shqetësim nga Japonia. Në një sondazh në radhët e prodhuesve të paisjeve elektronike, rreth 20 për qind e të anketuarve pohuan se kanë probleme furnizimi.

50 për qind e prodhuesve dhe tregtuesve të këtyre paisjeve llogarisin me kufizime në furnizime në javët dhe muajt e ardhshëm, bëri të ditur shoqata e sektorit, Bitkom.

Situata në Japoni sipas Bitkom ka pasoja edhe për çmimet: rreth 20 për qind e të anketuarve nga sektori i Hightech kanë konstatuar rritje të çmimeve tek produktet përfundimtare por edhe tek pjesët e veçanta. 50 për qind presin të ndiejnë rritjen e çmimeve në javët dhe muajt e ardhshëm.

Michael Hauger nga grupi Kion, prodhuesi numër 2 në botë i makinave pirun nuk është i prekur nga ngushtica e furnizimeve nga Japonia. Megjithatë ai sheh me shqetësim zhvillimet atje: furnizimi me energji i firmave japoneze nuk është ende i garantuar dhe askush nuk e di se çfarë pasojash do të ketë katastrofa bërthamore.

"Zona e sigurisë përreth Çernobilit kishte një rreze prej 260 kilometrash. Zona e evakuuar rreth Fukushimës është ende 20 kilometra. Por çfarë ndodh nëse katastrofa arrin përmasat e Çernobilit? Atëherë do të mbërrihej në Tokio", thotë Hauger.

Nëse kryeqyteti i Japonisë do të rrezikohej nga rrezatimi, pasojat do të ishin "fatale", mendon Manfred Hoffmann, drejtor i dhomës gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Japoni. Për ekonominë gjermane, për ekonominë mbarëbotërore, por para së gjithash për njerëzit e prekur në Japoni. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)